Klosi: Kemi shfrytëzuar 20 për qind të bregdetit, do mbijetojmë vetëm me turizëm elitar

Klosi: Kemi shfrytëzuar 20 për qind të bregdetit, do mbijetojmë vetëm me turizëm elitar

Shqipëria ka shfrytëzuar vetëm 20% të bregdetit shqiptar dhe investimet apo kantieret për struktura të tjera hoteliere nuk u ndalën gjatë pandemisë, ka deklaruar ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi në emisionin “Real Story” të Sokol Ballës.

Ai shton se Shqipëria duhet të krijojë turizmin elitar si zgjidhjen e vetme për të konkurruar teksa theksoi edhe një ‘pol të dytë’ në turizmin shqiptar siç është agroturizmi që po shtohet vit pas viti.

“Unë mendoj se ne jemi në 1/3 apo çereku të kapaciteteve tona turistike. Kemi shfrytëzuar vetëm 20% të bregut shqiptar, jemi ende në fillimet e turizmit të brendshëm dhe të natyrës. Kemi disa hotele të bukura në Berat, Korçë e Gjirokastrës që do jenë pjesë e ekonomisë së qyteteve. S’ka një rreth në Shqipëri mos ketë hotele për turizmin”, u shpreh ministri Klosi.

Më tej ai shtoi se ajo që ka ndodhur në Shqipëri është gjë e jashtëzakonshme në turizëm. Ajo që na mungon është turizmi i brendshëm, agroturizmi. Në 2018 kishte vetëm 2-3 pole, kurse sot kemi 25 ferma dhe mbi 100 që kërkojnë licencim.

Ministri Klosi theksoi se “turizmi 2020 nën moton “Pusho shqip” që çelëm në ditët e para të qershorit me ministrin e Ekonomisë dhe Turizmit të Kosovës,  hapi një rrugë shumë të fortë dhe përgjatë gjithë verës patëm komunitetin tonë të vëllezërve nga Kosova të cilët erdhën në Shqipëri, por në fillim të tetorit ne shkuam në Prishtinë ku çelëm sezonin dimëror. Janë shumë shqiptarë të Shqipërisë që shkojnë vizitojnë viset shqiptare matanë kufirit për të ndjerë turizmin mbarëkombëtar”.

“Gjatë këtij viti kishim një numër të konsiderueshëm turistësh të rinj që nuk e kishin pasur target Shqipërinë si shtetasit e Maqedonisë së Veriut, serbë, boshnjakë dhe zonat e rajonit duke shënuar kështu një tendencë të re”, tregoi Klosi.

“Në Shqipëri erdhën më shumë se dy milion e gjysmë turistë në periudhën janar-tetor të këtij viti, që është rreth 50% e vitit 2019 por që përsëri është një shifër e suksesshme në një vit të vështirë kufizimesh nga pandemia. Greqia e sidomos Mali i Zi ishte shumë më keq se ne pasi humbën serbët, shqiptarët, por edhe se nuk kanë shumë komunitet të brendshëm. Hotelet tona patën turizmin e brendshëm, turizmin rajonal dhe politikat që ndoqëm për të ftuar shumë turistë, si polakë, rusë, etj”, bëri të ditur Klosi.

I gjithë ky bregdet mbarëshqiptar, shtoi Klosi, i duhet ofruar rajonit, vendeve si Serbia, Bosnje-Hercegovina, etj.

A ia doli turizmi shqiptar të fitojë vizitorët e këtij viti, a do të rikthehen ata? Ministri Klosi tha se “turizmi ishte biznesi i vetëm që funksionoi në mënyrë të plotë gjatë verës dhe ia dolëm. Atë treg që fituam me shtetasit e Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Bosnje Hercegovinës, të cilët në fillim erdhën në vizita individuale dhe pastaj në grup, pasi gjetën parajsën, do e mbajmë”.

Sipas tij turistët preferuan shumë rërën e detit që është e vështirë të gjendet kudo në rajon. Nuk e ka këtë rërë Kroacia, Greqia, Mali i Zi etj. Më 10 qershor ne patëm charterin e parë turistik në Europë, pra i pari charter u ul në Shqipëri. 12 chartera nga Bjellorusia dhe Ukraina, por edhe Polonia, erdhën në Shqipëri këtë verë. Besoj se 2021 përsëri do të rikthehet në një vit të jashtëzakonshëm për turizmin shqiptar.

Ministri Klosi u shpreh se “Shqipëria ka shfrytëzuar vetëm 20% të bregdetit shqiptar dhe investimet apo kantieret për struktura të tjera hoteliere nuk u ndalën gjatë pandemisë.

“Këto projekte janë në zhvillim, asnjë kantier nuk u pezullua. Në investim janë hotelet që nga Valbona, ka një hotel me 5 yje në prag inaugurimi. Në asnjë moment kantieret nuk u ndërprenë. Dhjetëra hotele dhe qindra miliona investime nga privati”, theksoi ai./Motilokal.com