Poli Verior magnetik i Tokës po lëviz me shpejtësi drejt Siberisë, tetë herë më shpejt se Poli magnetik i Jugut. Konfirmimi vjen nga vëzhgimet e satelitëve Swarm të Agjencisë Evropiane të Hapësirës (ESA). Hulumtimi është botuar në Journal of Geophysical Research nga Instituti Kombëtar i Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë (Ingv).
Ndryshe nga polet gjeografikë, të cilat janë të fiksuara, ato magnetike lëvizin dhe nuk janë diametralisht të kundërta.
"Sot poli magnetik i Jugut është rreth 2,800 kilometra nga homologu i tij gjeografik, ndërsa ai i Veriut është rreth 350 kilometra", thotë një nga autorët e hulumtimit, Stefania Lepidi.
Studimi tregon se nga matjet e drejtpërdrejta të fushës magnetike të regjistruar nga instrumentet në bordin e satelitëve, është e mundur të përcaktohet jo vetëm pozicioni i azhurnuar i poleve magnetikë, por, duke analizuar të dhënat e viteve të fundit, edhe dinamikën e tyre.
Llogaritjet e ekspertëve tregojnë se të dy polet magnetikë po lëvizin në një drejtim Veriperëndimor, por ndërsa poli i Veriut lëviz me shpejtësinë prej rreth 37 deri në 72 kilometra në vit, me një rënie të lehtë në vitin 2016, shpejtësia e polit të Jugut është prej rreth 5 deri në 9 kilometra në vit.
Mauro Regi thotë se Poli Verior magnetik ka braktisur territoret veriore të Kanadasë dhe po shkon drejt Siberisë, ndërsa poli magnetik i Jugut po lëviz më ngadalë drejt oqeanit të hapur./Motilokal.com
