Kjo është arsyeja që pengon Pfizer të prodhojë më shumë vaksina

Kjo është arsyeja që pengon Pfizer të prodhojë më shumë vaksina

Kufizimet e furnizimit me vaksina po ia komplikojnë shpresat e administratës Trump për të arritur një marrëveshje me Pfizer për të blerë 100 milionë doza të tjera të vaksinave kundër koronavirusit, në një kohë që virusi po përhapet me shpejtësi.

Zyrtarët nga administrata e Trump dhe Pfizer konfirmuan se të dy palët po negociojnë që qeveria të blejë doza shtesë për shpërndarje midis prillit dhe qershorit 2021. Por duket se kompania ka disa probleme me furnizimet për prodhimit e vaksinës që mund të ndikojnë në ngadalësimin e prodhimit të dozave anti-COVID-19.

Sekretari i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore Alex Azar tha të mërkurën se një faktor komplikues në negociata është që Pfizer ka disa çështje të zinxhirit të furnizimit që do ta bëjnë më sfiduese për kompaninë të prodhojë 100 milionë doza më shumë në pranverë.

“Qeveria federale po negocion me Pfizer për të parë se si mund të ndihmojë me ato çështje të prodhimit në mënyrë që të marrë 100 milionë doza shtesë”, tha ai.

"Ata janë më të fshehtë me ne në lidhje me kapacitetet e tyre prodhuese, nevojat e tyre. Kështu që ne nuk mund ta dimë se ata kanë një problem të lëndës së parë derisa të na thonë se kanë një problem të lëndës së parë", tha Azar në CNBC.

“Unë mund t’ju siguroj që ne do të përdorim çdo fuqi të qeverisë së Shteteve të Bashkuara për të siguruar që ata të kenë çfarë u nevojitet për të përmbushur kontratat që na duhen për njerëzit e Shteteve të Bashkuara”, shtoi ai.

Drejtori ekzekutiv i Pfizer, Albert Bourla tha të hënën se do të ishte "shumë pozitive" nëse Shtetet e Bashkuara vendosin të përdorin Aktin e Prodhimit të Mbrojtjes për të ndihmuar kompaninë të prodhojë më shumë vaksina.

"Kjo do të na lejojë të maksimizojmë atë që mund të bëjmë", tha Bourla në një intervistë me CNBC.

Administrata e Trump u përball me kritika pasi New York Times raportoi se qeveria amerikane nuk kishte arritur të siguronte 100 milionë doza shtesë kur Pfizer e ofroi si mundësi gjatë verës. Administrata ka mohuar lajmet se ka refuzuar këtë ofertë nga Pfizer./Motilokal.com