Njerëzit kanë nevojë për mbrojtje më të fortë nga efektet e Inteligjencës Artificiale (IA), argumentoi Agjencia Europiane e të Drejtave Themelore (FRA) në një raport të publikuar sot.
Pjesa më e madhe e vëmendjes për zhvillimet në IA "përqendrohet në potencialin e saj për të mbështetur rritjen ekonomike", tha raporti. Por shtoi: " Mënyra se si ajo mund të prekë të drejtat themelore ka marrë më pak vëmendje."
Ekziston një rrezik që "njerëzit po përdorin verbërisht teknologji të reja pa vlerësuar ndikimin e tyre përpara se t'i përdorin ato në të vërtetë", tha për AFP David Reichel, një nga ekspertët që punoi në raport.
"Ka shumë njerëz që mendojnë se kur nuk keni ndonjë të dhënë të lidhur me gjininë ose origjinën etnike në grupin tuaj të të dhënave atëherë jeni mirë dhe kjo nuk është diskriminuese", shtoi Reichel.
Përkundrazi, argumentoi ai, ishte i nevojshëm kujdesi, pasi "ka shumë informacione që mund të lidhen me atributet e mbrojtura".
Në gusht, për shembull, Gjykata e Apelit e Londrës gjeti që përdorimi i njohjes së fytyrës nga policia në Cardiff ishte i paligjshëm, pjesërisht sepse nuk ishte bërë mjaft për të siguruar që teknologjia nuk ishte e prirur për paragjykim.
"Teknologjia lëviz më shpejt se ligji", tha drejtori i FRA-së Michael O'Flaherty në raport.
"Ne duhet të shfrytëzojmë rastin tani për të siguruar që korniza e ardhshme rregullatore e BE-së për IA është e mbështetur fort në respektimin e të drejtave njerëzore dhe themelore."
"Çdo legjislacion i ardhshëm i IA-së duhet të marrë në konsideratë" efektet e mundshme diskriminuese dhe pengesat në drejtësi "dhe të krijojë masa mbrojtëse efektive", tha agjencia në një deklaratë shoqëruese të raportit.
Çështja ishte edhe më e ngutshme duke pasur parasysh se "pandemia COVID-19 potencialisht ka shpejtuar pranimin e teknologjive inovative", veçanërisht në përmirësimin e kujdesit shëndetësor dhe ndihmën për të ndjekur përhapjen e sëmundjes, vuri në dukje raporti.
Mesatarisht, 42% e kompanive evropiane përdorin AI. Republika Çeke (61%), Bullgaria (54%) dhe Lituania (54%) janë vendet ku ajo është më e përhapur.
Organizatat që përdorin një teknologji të tillë duhej të ishin më transparente dhe më të përgjegjshme, tha raporti.
"Njerëzit duhet të dinë kur përdoret IA dhe si përdoret dhe ku të ankohen", shtoi ai./Motilokal.com
