Tri specie të bretkosave të Amerikës Qendrore janë zhdukur dhe shumë të tjerë mund të zhduken së shpejti, viktima të një kërpudhe vdekjeprurëse, zgjerimi i së cilës po favorizohet nga ndryshimi i klimës, theksoi Bashkimi Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Natyrës.
Këto tri specie, përfshirë Atelopus chiriquiensis shumëngjyrësh që u gjetën në lartësi në Kosta Rika dhe në Panama, por që nuk janë parë që nga viti 1996, i bashkohen 28 specieve të tjera që janë shtuar gjithashtu në seksionin e zhdukjes të listës së kuqe të IUCN.
"Lista në rritje e specieve të zhdukura është një kujtesë e zymtë se përpjekjet për ruajtje duhet të zgjerohen urgjentisht", tha shefi i IUCN Bruno Oberle në një deklaratë.
"Ndryshimi i klimës duket se po ndihmon përhapjen e kërpudhave dhe krijimin e kushteve të duhura që sëmundja të lulëzojë dhe kjo pastaj po zhduk popullatat e bretkosave", tha ai, duke përshkruar situatën për bretkosat dhe amfibët e tjerë si "një krizë të madhe".
Kelsey Neam, i cili punon në seksionin amfib të Listës së Kuqe, i tha AFP-së se shumica e specieve të arlekinës ishin veçanërisht të prekshme nga kërpudhat, pasi ato marrin frymë përmes lëkurës së tyre, e cila është dobësuar nga thatësira në rritje.
Lista e Kuqe tani rendit 128 918 lloje bimësh dhe kafshësh, përfshirë 35 765 që kërcënohen të zhduken.
“Edhe pse IUCN gjithashtu vë në dukje disa lajme të mira të tilla si “ringjallja” e bizonit europian, lista në rritje e specieve të zhdukura është një kujtesë e zymtë se më shumë veprim nevojitet urgjentisht për ruajtjen e natyrës”, nënvizon Bruno Oberlé, drejtori i përgjithshëm i IUCN që bashkon më shumë se 1 400 organizata dhe qeveri.
Njëzet e dy lloje të tjera amfibësh të gjetura në Amerikën Qendrore dhe Jugore gjenden në listën e specieve “të kërcënuara seriozisht”, kategoria që i paraprin zhdukjes, në klasifikimin e IUCN, e cila i referohet nivelit ndërkombëtar./Motilokal.com
