Studimi: Pandemia COVID-19 uli emetimet e karbonit

Studimi: Pandemia COVID-19 uli emetimet e karbonit

Emetimet globale të dioksidit të karbonit (CO2) të shkaktuara nga djegia e qymyrit, naftës dhe gazit ranë për 7 për qind në vitin 2020 krahasuar me 2019, sipas studimit të ri nga shkencëtarët evropianë.

Sasia ra për 2.4 miliard ton metrikë në nivelin aktual prej 34 miliardë ton metra CO2, sipas një rezultati nga Projekti Global i Karbonit botuar në revistën Earth Systems Science Data të premten.

Të dhënat tregojnë se rënia e emetimeve të CO2 ishte veçanërisht e madhe në Shtetet e Bashkuara (me 12 për qind) dhe BE (me 11 për qind).

"Reduktimi i emetimeve ka ndodhur kryesisht për faktin se njerëzit kanë qëndruar në shtëpi dhe kanë udhëtuar më pak me vetura dhe aeroplanë për shkak të pandemisë COVID-19", tha Julia Pongratz nga Universitetit Ludwig Maximilian në Mynih, një nga autorët e studimit.

Emetimet tashmë janë rritur me një ritëm më të ngadalshëm sesa në vitet e mëparshme, tha ajo, por me pandeminë e koronavirusit, rënia u bë e konsiderueshme.

Sipas shkencëtarëve, kjo është rënia më e madhe vjetore e emetimeve të CO2-shit që nga Lufta e Dytë Botërore.

"Nëse kjo paralajmëron një prirje, megjithatë, varet shumë nga mënyra se si masat në paketat stimuluese kundër COVID-19 do të luajnë rol në të gjithë botën", theksoi Pongratz.

Nëse rënia e emetimeve do të vazhdojë në të ardhmen është e pamundur të vlerësohet në këtë kohë, paralajmëron ekipi, i udhëhequr nga Pierre Friedlingstein i Universitetit të Exeter në Angli.

Ekziston frika se emetimet e CO2 do të rriten në vitin 2021.

Deri në tetor të 2020-ës, emetimet tashmë po i afroheshin niveleve të vitit 2019 përsëri./Motilokal.com