Që nga dita e diel, Italia është goditur nga moti i ligë me shira të rrëmbushëm, stuhi bore dhe erëra të forta, duke shkaktuar përmbytje në disa pjesë të vendit si dhe deri në tri metra ka arritur trashësia e borës në zonat malore.
Në Sicili ka rrëshqitje të mëdha toke, ndërsa ishujt e Ezolit janë izoluar.
“Për shkak të rrezikut të rrëshqitjeve të tokës dhe ortekëve të shkaktuar nga moti i keq i këtyre orëve, unë ftoj të gjithë qytetarët të shmangin drejtimin drejt zonës Bellunos”, deklaroi prefekti i Venetos, Luca Zaia.
Gjendja alarmante për momentin është në zonat e Alto Vicentinos, Trevigiana Pedemontana dhe territorin e provincës së Bellunos.
Në Dolomites Sesto si dhe në Dolomites, midis Marmolada dhe Fiera di Primiero, rreziku i ortekëve është shumë i madh.
Çarja e argjinaturës së lumit Panaro shkaktoi vërshime të mëdha uji në zonën e Castelfranco Emilia, jo shumë larg Nonantola dhe Modena.
Për 48 orë zjarrfikësit kanë qenë të angazhuar në të gjithë vendin, në ndërhyrjet e shpëtimit për shkak të motit të keq që po godet Veneton, Friuli Venezia Giulian, Emilia-Romagnan, Piemonten, Lombardinë dhe Toskanën.
Moti i pafavorshëm ka detyruar shtyrjen për të hënën të sllallomit gjigant për meshkuj të Kupës së Botës, të planifikuar në Santa Caterina Valfurva të Italisë, tha sot Federata Ndërkombëtare e Skive (FIS).
“Për shkak të kushteve të motit dhe borës, sllallomi i dytë në Santa Caterina është shtyrë për nesër, të hënën më 7 dhjetor”, shkroi FIS në Twitter.
Alarm është lëshuar edhe për Shqipërinë dhe Greqinë, pas ciklonit që ka përfshirë Italinë./Motilokal.com










