Modifikimi i motit brenda vitit 2025, Kina ka gati programin

Modifikimi i motit brenda vitit 2025, Kina ka gati programin

Kina ka zbuluar, këtë javë, planet e saj për të zgjeruar ndjeshëm programin eksperimental për modifikimin e motit, pasi do ta shtrijë në një sipërfaqe prej 5.5 milion kilometrash katrorë, mbi 1,5 herë më të madhe se India.

Sipas një deklarate të këshillit shtetëror, Kina do të ketë një sistem të zhvilluar të modifikimit të motit deri në 2025 falë kërkimeve avangard dhe teknologjive të reja. Pesë vitet e ardhshme, zona totale e mbuluar nga shiu apo bora artificiale do të arrijnë në 5.5 milionë km katror ndërsa 580 mijë kilometra katror sipërfaqe do të jenë të mbuluara nga teknologjitë e ndalimit të breshërit.

Më tej në deklaratë theksohet se programi do të ndihmojë në rimëkëmbjen pas fatkeqësive natyrore, do të rrisë prodhimin bujqësor, do të përmirësojë përgjigjen ndaj zjarreve dhe thatësirave të shkaktuara nga temperaturat e larta.

Kina prej kohësh është përpjekur të kontrollojë motin me qëllim që të mbrojë zonat bujqësore dhe të garantojë qiej të hapur për evente të rëndësishme.

Ajo mbolli re para lojërave olimpike të Pekinit në 2008 me qëllim që të reduktonte smogun dhe të evitonte shiun para nisjes së tyre. Edhe tubime të rëndësishme politike të mbajtura në kryeqytetin kinez, zakonisht shoqërohen me qiej të pastër e të bukur, kjo falë modifikimit të motit dhe mbylljes së fabrikave të afërta. Si koncept, mbjellja e reve ekziston prej dekadash.

Në periudhën 2012-2017, Kina ka investuar 1,34 miliardë dollarë në programe të ndryshme të modifikimit të motit. Modifikimi i motit ka ndihmuar vitin e kaluar në uljen me 70% të dëmtimeve nga breshëri në rajonin perëndimor të vendit, Xinjiang, një zonë kyçe për bujqësinë./Motilokal.com