Lloje të rrezikuara të shpendëve që po shpëtohen falë ndërgjegjësimit qytetar

Lloje të rrezikuara të shpendëve që po shpëtohen falë ndërgjegjësimit qytetar

Organizata “Shpendët e Shqipërisë” ka njoftuar se falë një veprimi fort të lavdërueshëm qytetar, një tjetër shpend i rrezikuar u arrit të shpëtohej.

“Rreth një javë më parë, “Shpendët e Shqipërisë” sinjalizohen nga Besnik Peshku, nga qyteti i Elbasanit se një shpend ishte përplasur me fasadën e xhamtë të një objekti dhe kishte rënë në tokë në gjendje të pamundur për të fluturuar”, thuhet në njoftim.

“Shpendët e Shqipërisë” bën të ditur se nga fotografitë e dërguar nga Besniku, dukej qartë se bëhej fjalë për një individ të gjeraqinës së shkurtës (Accipiter nisus), që listohet me statusin “I Rrezikuar” në Listën e Kuqe të Faunës së Shqipërisë dhe shpëtimi i çdo individi është me rëndësi për ruajtjen e popullatës së këtij lloji në vendin tonë.


Një prej pjesëtarëve të ekipit tonë udhëtoi drejt Elbasanit ku mori në dorëzim shpendin. Sipas vlerësimit paraprak, shpendi kishte një dëmtim në krahun e djathtë që i pamundësonte fluturimin dhe për këtë arsye u vendos që të transportohej drejt Qendrës së Rehabilitimit të Shpendëve të Egër në Divjakë, ku po merr edhe trajtim.


“Për këtë rast dëshirojmë të falënderojmë Besnik Peshku për veprimin e dalluar qytetar që mundësoi shpëtimin e këtij shpendi si dhe punonjësit e AdZM Fier falë punës së tyre, pjesa më e madhe e shpendëve të dëmtuar i janë rikthyer natyrës”, shprehen nga “Shpendët e Shqipërisë”./Motilokal.com