Bill Gates: Vaksinat kundër COVID-19 do të jenë efikase dhe të sigurta, duroni edhe pak, mbani maskat

Bill Gates: Vaksinat kundër COVID-19 do të jenë efikase dhe të sigurta, duroni edhe pak, mbani maskat

Themeluesi i kompanisë Microsoft, Bill Gates beson se pothuajse çdo vaksinë kundër COVID-19 do të jetë efektive, tha ai në një intervistë për Fareed Zakaria të CNN.

Tashmë, vaksinat nga Pfizer dhe Moderna kanë treguar të jenë efektive në të dhënat e hershme të kompanisë, dhe Gates tha se ai pret që vaksinat nga AstraZeneca, Johnson & Johnson dhe Novavax të kenë sukses të ngjashëm së shpejti.

"Unë jam optimist se deri në shkurt, ka shumë të ngjarë që të gjitha vaksinat do të jenë efikase dhe të sigurta", tha ai.

Gates rekomandon që të bartni maskat dhe durim deri në pranverë sepse atëherë vaksinat do të fillojnë të zvogëlojnë numrin e të infektuarve gjithashtu do të ndihmojë edhe ndryshimi i motit, pra temperaturat e larta.

Disa vaksina kanë probleme logjistike, sikurse ajo e Pfizer që duhet të ruhet në frigoriferë të veçantë në minus 75 gradë celsius. Megjithatë, Gates beson se edhe ky problem do të zgjidhet.

“Duhet të kujdeseni që vaksinat të mos shpenzohen kot, por besoj se edhe kjo do të zgjidhet disi. Mendoj që do të ketë mjaft njerëz që menjëherë do të vaksinohen dhe ata do të tërheqin të tjerët dhe kështu me kalimin e kohës do të arrijmë nivelin e 70 për qind, për të parandaluar përhapjen e sëmundjes”, shtoi Gates.

Për fund, ai për CNN theksoi se Ditën e Falënderimeve do ta kalojë me disa anëtarë të familjes përmes një videoje “konference” me qëllim që të zvogëlojë numrin e të pranishmëve në një hapësirë të njëjtë.