Gjirafa e vetme e bardhë në botë, pajiset me sistem gjurmimi [Foto]

Gjirafa e vetme e bardhë në botë, pajiset me sistem gjurmimi [Foto]

Gjirafa e vetme e bardhë e mbetur në botë është pajisur me gjurmues GPS për ta mbrojtur nga gjuetarët ilegalë në Kenia.

Gjirafa e bardhë mashkull është tashmë e vetmja e variantit të saj gjenetik pas vrasjes në mars të femrës së bardhë e këlyshit të saj nga gjuetarët. Megjithë statusin e tij të ri unik, mashkulli nuk ka ende një emër.

Një tipar i rrallë gjenetik, i quajtur leucizëm, shkakton ngjyrën e bardhë të kësaj specie, që jeton në savanën e thatë, pranë kufirit të Somalisë.


Tani, pajisja gjurmuese, GPS, e vendosur në një nga brirët e gjirafës, do të sinjalizojë çdo orë, për të njoftuar rojet për vendndodhjen e kafshës.

Vrasja e mëparshme e dy gjirafave të tjera të bardha, ka bërë që shoqatat për mbrojtjen e kafshëve të egra, të marrin masa në ruajtjen e specieve të rralla që janë në rrezik zhdukjeje.


“Vrasjet ishin një goditje e rëndë ndaj përpjekjeve të komunitetit për ruajtjen e specieve unike dhe përpjekjet e konservimit në përgjithësi”, tha Mohammed Ahmednoor, drejtues i projektit të konservimit.


Gjirafa e bardhë femër tërhoqi shumë interes kur u pikas fillimisht në vitin 2017, dhe më vonë kur ajo lindi dy këlyshët e saj.


Megjithatë, Fondacioni për Ruajtjen e Gjirafave, në Afrikë, thotë se numri i përgjithshëm i gjirafave në këtë kontinent ka rënë me 30 për qind që nga vitet 1980 dhe deri në 95 për qind në disa zona./Motilokal.com