Leonardo DiCaprio nuk ‘harron’ Vjosën: Lajme të mira vijnë nga Shqipëria

Leonardo DiCaprio nuk ‘harron’ Vjosën: Lajme të mira vijnë nga Shqipëria

Aktori i njohur amerikan Leonardo DiCaprio, përmes një statusi në Instagram ka vlerësuar vendimin e Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe qeverisë së tij për ndalimin e ndërtimit të hidrocentraleve në lumin Vjosë dhe kthimin e saj në një park kombëtar.

“Ndërsa ne presim që Kryeministri Federal dhe qeveria e tij në Bosnjë dhe Hercegovinë të ndërmarrin hapa ligjorë për të mbrojtur lumenjtë e Zemrës Blu të vendit nga shkatërrimi i mëtejshëm nga hidrocentralet e vogla, ka lajme shumë premtuese që vijnë nga Shqipëria. Vjosa, një nga lumenjtë e fundit të egër të Evropës mund të shpëtohet nga zhvillimi i hidrocentraleve”, ka shkruar DiCaprio.

Ai ka thënë se me 25 shtator, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama njoftoi se projekti i digës Kalivaç u refuzua dhe se zona do të bëhet një park kombëtar.

“Parku Kombëtar i Lumit të Vjosës do të bëhej vendi më i madh i Evropës për ruajtjen e lumenjve që mbulon disa qindra kilometra lumenj dhe përrenj dhe mbron qindra apo edhe mijëra specie si ngjala evropiane e rrezikuar globalisht dhe flutura e Vjosës e zbuluar së fundmi”, theksoi DiCaprio.

“Kjo do të ishte një arritje e madhe për Shqipërinë dhe pjesën tjetër të Evropës, dhe parku mund të bëhet një model për Strategjinë e Biodiversitetit brenda kornizës së Marrëveshjes së Gjelbër”, deklaroi ai.

Ai u shpreh se është në pritje të më shumë lajmeve të mira në lidhje me veprimet konkrete për mbrojtjen e përhershme dhe të plotë të lumenjve në Bosnjë dhe Hercegovinë, Shqipëri dhe pjesën tjetër të rajonit Zemra Blu të Ballkanit.

Statusin e tij Di Caprio e shoqëron me një fotografi nga Vjosa ku shkruhet mesazhi “Vjosa, jo diga”.

Duhet të kujtojmë se një vit më parë Leonardo DiCaprio iu bashkua nismës për mbrojtjen e lumit Vjosa kundër ndërtimit të hidrocentraleve./Motilokal.com