Turqia i ka dhuruar Shqipërisë 1000 fidanë pemë, të cilat do të mbillen në liqenin e Farkës. Në aktivitetin “Frymëmarrje për të ardhmen” i pranishëm ishte kryeministri Edi Rama, i cili gjatë fjalës së tij falënderoi publikisht Turqinë dhe presidentin Erdogan për dhuratën e çmuar.
“Ky është një organizim i ndërmarrë nga presidenti Erdogan, Në të njëjtën orë po mbjellën në të njëjtën kohë në botë 11 milionë pemë. Kjo ka hyrë në librin Guiness. Në liqenin e Farkës po mbjellim 1 mijë pemë në një proces që Tirana ka qenë në vijën e parë, me një ndërprerje të vogël gjatë dy fazave, që kur isha kryetar bashkie dhe qysh Erioni ka marrë bashkinë në funksion të shumicës. Turqia është një nga shembujt domethënës në botë, ka një ekspertizë të jashtëzakonshme që bujarisht do na e përcjellë dhe ne. Faleminderit për këtë nismë dhe praninë e ambasadorit. Një mik i mirë për shqiptarët, siç është dhe presidenti Ergodan", u shpreh kryeministri.
Ndërsa kreu i Tiranës Erion Veliaj tha se ne vijmë nga një eksperiencë që kryeministri ka përmendur shpesh, eksperienca e viteve ’90, ku i shpallëm luftë natyrës, ku premë çdo pemë, ku ndotëm lumenj, duke filluar nga Lana në Tiranë, apo tek lumenjtë e mëdhenj të Shqipërisë, ku ndërtuam pa kriter.
“Besoj se jemi sot në një fazë ku edhe prej pandemisë kemi reflektuar për të bërë një paqe me natyrën. Dhe ndaj gjithë kjo eksperiencë e mbjelljes së pemëve, që filloi me Edi Ramën kryetar Bashkie ne vitet 2000-2011, mori një pauze 4-vjeçare, pastaj rikuperoi prapë, dhe fakti që sot po i rikthejmë Tiranës një pajë e cila në bashkëpunim me komunitetet e zonës, në bashkëpunim me njësitë administrative, duke shfrytëzuar asetet që kemi siç janë këto liqene dhe këto lumenj, do jenë ndoshta një pajë dhe për gjeneratat e ardhshme”, deklaroi Veliaj.
Ambasadori turk Murat Ahmet Yoruk bëri të ditur se kësaj nisme i janë bashkuar tashmë rreth 30 shtete.
“Dua tu falenderoj për pranimin e ftesës tonë e cila i është kushtuar një vëmendje të veçantë programit që vazhdon të jetë nën vëzhgimin e Erdogan. Ky projekt është një projekt që është filluar nëpërmjet iniciativës kryesore të Erdogan vitin e kaluar dhe tashmë siç po e shikojmë në këtë manifestim e cila përhapet dalëngadalë në të gjitha vendet e rajonit. Po zbatohet në 30 shtete të botës”, tha ambasadori.
Parku i Farkës nga një tokë djerrë dhe vendgrumbullim plehrash deri 5 vite më parë, është transformuar nga Bashkia e Tiranës në një destinacion të preferuar të kryeqytetasve për të kaluar orët e lira./Motilokal.com
