Funksionalizohet linja emergjente për mbushjen e liqenit të Badovcit

Funksionalizohet linja emergjente për mbushjen e liqenit të Badovcit

Kryeministri i Republikës së Kosovës Abdullah Hoti gjatë ditës së sotme vizitoi liqenin e Badovcit, nga i cili furnizohen me ujë të pijshëm rreth 30% e konsumatorëve të KRU" Prishtina".

Kryeministri Hoti u mirëprit nga Bordi i Drejtorëve i kryesuar nga Labinot Dedushi dhe menaxhmenti i lartë i KRU" Prishtina" i kryesuar nga z. Sokol Xhafa, kryeshef ekzekutiv.

Sot, me vizitën e kryeministrit Hoti u ri- funksionalizua linja emergjente për mbushjen e Liqenit të Badovcit, përmes sistemit të Ibër Lepencit.

Me kërkesën e Kryeministrit Hoti, para tre javësh në një takim të përbashkët me menaxhmentin e KRU" Prishtina" dhe ndërmarrjes Ibër Lepenc, janë angazhuar ekipet profesionale të dy kompanive dhe falë përkushtimit dhe bashkëpunimit  është arritur të ri funksionalizohet linja e cila, për herë të fundit ishte shfrytëzuar në vitin 2014.


Kryeministri Hoti falënderoi të dy kryeshefat e kompanive respektive për shpejtësinë dhe funksionalizimin e linjës.

Hoti ndër tjerash u njoftua nga KE Sokol Xhafa që gjatë kësaj periudhe ekipet kanë punuar pandërprerë duke sanuar mbi 45 defekte në linjën e vjetruar duke e zëvendësuar afër 100 metra linjë magjistrale me tubacion të ri.

Funksionalizimi i linjës ofron garanci për furnizim të qëndrueshëm me ujë për banorët e Graçanicës me rrethinë e gjerë.

Ua kujtojmë se, niveli i ujit në liqenin e Badovcit është mbi 10 metra nën nivelin e kapërderdhjes./Motilokal.com