Ismail Kasumi, një jetë e kaluar nën ujë, mes shpëtimit dhe trishtimit

Ismail Kasumi, një jetë e kaluar nën ujë, mes shpëtimit dhe trishtimit

Nga Shkëlzen Rrecaj

Jeta e njeriut është përplot histori, me momente gëzimi, kënaqësie, hidhërimi e suksesi. Të gjitha këto bëjnë pjesë të zhytësi Ismail Kasumi, i cili është një histori e gjallë e një profesioni të shndërruar në mision të nxjerrjes së kufoma nga uji.

Në një rrëfim për Motilokal.com, përveç momenteve të pakëndshme, trishtuese tregon edhe anën më të bukur të karrierës së tij.

Ismail Kasumi në mbi 50 vjet karrierë ka arritur të nxjerrë më shumë se 500 trupa të mbytur në liqene.

Ndërsa pjesa e bukur është se axha Ismail mban rekordin në zhytje deri në 120 metra thellësi, e që është i pathyer deri më sot në kuadër të ish-Jugosllavisë.    

Ka shumë ç’të tregojë për karrierën e vet shumë të pasur, me këndellje lumturie, por dhe drama, teksa ka parë, prekur e bartur gjithë ato kufoma. Por gjëja më e rëndësishëm për të është se asgjë nuk e ka bërë për para, por vetëm për humanizëm. Dhe kjo, për të mbajtur amanetin e nënës për t’iu shërbyer njerëzve në hall pa bë pazare.  

Por si lindi pasioni i zhytësit?

Misionin e tij, Axha Ismail e nisi si fëmijë, në lumin Bistricë (Lumbardhin), pranë brigjeve të të cilit lumë lindi.

“Do ta përmendi një moment në liqenin e Badovcit ku me disa shokë, laheshim, freskoheshim, ndërsa fati e deshi që një ditë, papritmas dy të moshuar, ulur skaj liqenit na ftojnë të notonim. Ne filluam notin, pastaj ata kërkuan se kush prej nesh, po hyn dhe po qëndronte më gjatë në ujë. Më kujtohet mirë, kam hyrë në liqen, kam kapur një rrënjë poshtë nën ujë dhe kam qëndruar shumë gjatë. Kur kemi dalë, ata njerëz janë prezantuar. Njëri prej tyre tha se është Prof. Bardhyl Zajmi, drejtor i Shkollës së Lartë Pedagogjike në Prishtinë, ndërsa tjetri, Mehmet Maliqi, sekretar i Mbrojtjes Popullore. Ata, më thonë se donin të formonin një ekip të zhytjes”, tregon axha Ismail.

Nga kureshtja axha Ismail i kishte pyetur se me çfarë merret ekipi i zhytjes? “Fjalët e para të tyre kanë qenë do të merremi me ski mbi ujë dhe me kap peshq. Nuk me kanë përmendur kufomat apo të mbyturit nëpër liqe apo lumenj, dhe me plot dëshirë e pranova ftesën e tyre. Pajisjet e para na i ka dhënë Mehmet Maliqi. Nga ai moment kam filluar të merrem me zhytje”, kështu shprehet zhytësi Kasumi.

“Më të filluar zhytjen më dërgojnë në qendrën sportive në Badi, afër Korçullës. Një profesor nga Zagrebi në bënte ushtrimet. Hapat e parë të zhytjes i morëm nga Prof. Marian Llanci, dhe shumë herë them se Kosova i ka shumë borxh këtij njeriu.

Pas ndjekjes se shumë seminareve, kam marrë titullin “instruktor i lartë i zhytjes”. Ky ka qenë pasioni im që e kam dashur zhytjen, kam dashur ta shijoj një natyrë nënujore, ku pakkush e dinë çka do të thotë natyra nënujore, bukuritë që i ka”, shprehet ai.

“Pas kthimit nga Kroacia, shkuam në liqenin e Batllavës ku kishim barkën motorike, skitë e gjërat e nevojshme. Profesorët, kinse për të me argumentuar se të më kishin ftuar për t’u hipur skive në ujë dhe me zënë peshq, nuk më përmendnin kufomat.”, vazhdon ai tregimin.

Në tregimin e tij për jetën nuk mungojnë as momentet interesante.

“Jam njeriu i parë që kam hipur skive në liqenin e Batllavës. Do ta përmendi një gjë interesante. Në atë kohë, autobusët për Leskovc kanë kaluar nga Orllani. Ndalet një autobus plot udhëtarë për të më parë duke i dhënë skive. Një i moshuar me kapelë të bardhë, kur kam dalë prej ujit, i merr skitë në dorë, i shikon dhe thotë: ‘Kanë pas thanë se do të dalë diçka për me fluturue. Dolën aeroplanët, por që hyp njeri në dy pallzina dhe shkon mbi ujë…e filloi të bie në shahadet”. Fjalët dhe përqafimi i tij, ishte një kënaqësi e papërshkrueshme për mua. Pastaj kanë ardhur rastet tragjike, duke nxjerrë shumë kufoma. Jam një ndër zhytësit e parë kosovarë që jam zhyt me Zhak Kustonë e madh, doajenin e zhytjes në gjithë botën.”

Për të zhytja është një ndjenjë e veçantë siç thotë varet prej aftësisë së zhytësit për t’i shijuar ato mrekulli dhe të gjitha ato bukuri që i ka nënuji.

“Një gjë do t’ua përshkruaj: kur kam qenë në mes Korçullës dhe Dubrovnikut, në Detin Adriatik, më është dukur sikur kam filluar të ngjitem lart, drejt bjeshkëve, dhe harroja që jam nën ujë. Shihja livadhe të bukura, e më vinte më pas një kosë e me kosit barin, shihja shpella të bukura, gjallesa etj. Kështu që, shumë raste kam harruar se ku gjendem në ato thellësi dhe bukuri që kanë detet”, tregon ai.

Bota nënujore është misterioze jo çdo kush ka rastin ta sheh dhe për këtë thotë është një botë e papërshkruar.

“Isha në një emision në TV, ku ishte i ftuar një bjeshkatar, Arben Islami dhe pyetja ishte: A më i mirë është deti apo bjeshka? Unë i them më i mirë është deti. E tani i them: “Arben, axha Ismail i ka shëtit edhe bjeshkët dhe shpellat, por t’i nuk e ke shijuar thellësinë nënujore se si është, ajo natyrë e papërshkruar, e paparë, është një kënaqësi e madhe që ka pas raste që kam harruar edhe sa ajër kam prej kënaqësisë duke i parë ato bukuri. Fatkeqësia më e madhe ka qenë që në atë kohë nuk kam pasur kamerë nënujore se nuk kisha fol asgjë, veç ua kisha lëshuar dhe i kishim pa bukurit nënujore”, kështu e përshkruan botën nënujore axha Ismail, i cili shprehet se sikur ta kisha edhe një kamerë në atë kohë për t’i xhiruar ato bukuri, ato mrekulli do të me ngeleshin kujtim për tërë jetën.

Përveç momenteve të bukura janë edhe ato të frikshmet që na tregon për ballafaqimin me peshkaqenin.

“Momenti më i frikshëm për mua ka qenë kur isha i zhytur në një thellësi prej 40 metra, e kam parë një peshk të madh, e ai kish qenë peshkaqen. Me të dalë jashtë, e kam marrë vesh që kish qenë peshkaqen dhe barkën e kam pas larg nja 50 metra dhe nga frika kam shkuar të barka shumë shpejt. Ky ka qenë një moment i frikshëm se nuk e kam ditur që ishte peshkaqen duke e menduar për peshk.”

Tani po vijmë tek pjesa dramatike e profesionit të zhytjes për të cilën e nis kështu rrëfimin: “Isha duke u shëtitur me shokë në qendër të Prishtinës, ku papritmas, rreth orës 22:00 vjen një veturë e policisë, i drejtohet grupit që shëtitshim dhe pyesin se cili nga ne ishte Ismaili. Unë, i habitur u thashë së jam unë. Ndërkaq, ata kërkojnë që të shkoja të ndihmoja në një rast tragjik, në fshatin Dolak, Komuna e Vushtrrisë. Një “Fiat 1300” me tre fëmijë dhe një të rritur, kishte rënë në lumin Sitnica. Pa u hamendur, shkoj i marr pajisjet dhe mbërrij diku në ora 12 të mesnatës. Hyj në ujë dhe për herë të parë ballafaqohem me njeriun pa jetë. Deri në atë kohë, kurrë nuk kisha parë ose prekë kufomë me sy. Dal prej aty i tmerruar, dhe i them profesor Zajmit: “unë kam prekur njeriun e vdekur”. Ndërsa ai më drejtohet: “Ismail, krejt ky popull i ka sytë në ty. Këta janë të vdekur, nuk zgjohen, por po presim që të nxirren nga uji.” Hyj sërish dhe i nxjerri ata të tre dhe vjehrrën. Prej aty, kthehem në shtëpi natën, i marr veshjet e zhytjes dhe i lë për t’u terur. Kur ngrihet nëna në mëngjes, më drejtohet me fjalët: “Ismail, po të lut nana, pashë gjirin që ta kam dhënë, mos shko nëpër ujë, sepse si fëmijë të kemi nxjerrë të mbytur nga Bistrica”.”

Rrëfimi nuk mbaron këtu edhe pse vendosi të çoj porosinë e nënës që më të zhytet në ujë, ai vazhdon të kërkohet për nxjerrjen e trupave.

“Unë mundohesha ta çoj atë porosi të nënës në vend, mirëpo, pas një kohë, paraqitet një rast tjetër kur gazetari kërçovar i Radio Televizionit të Prishtinës, Remzi Xhambazi, duke u freskuar në Badovc, mbytet. Ekipet nga Beogradi, Novi Sadi dhe Dubrovniku, e kërkojnë dhjetë ditë, por nuk arrijnë ta gjejnë. Kolegu im i ndjerë, Bajram Rudha, qëllon në skaj të Liqenit dhe iu thotë se “pse nuk po shkoni ta merrni një djalë në shkollën e lartë pedagogjike dhe që e njeh këtë liqen në gishta?”. Vijnë në zyrë të shkollës, vëllezërit e tij, Azizi, Bajrami, Shehiu dhe më tregojnë rastin. Unë, u them se i kam dhënë fjalë të mëdha nënës. I ftoj te shtëpia që ta merrnin betimin nga nëna që kisha dhënë.

“Në një çast, teksa nëna qëndronte në oborr, ata i rrëfejnë se vëllai i tyre ishte mbytur në liqen, nuk mund ta gjejnë dhe kërkonin ndihmën time. Në ato momente, më thërret nëna, unë dal, bëhem kinse nuk po i njoh. Ma qet dorën në kraharor, më përkëdhel dhe më thotë: “Ismail, e paskan një rast tragjik dhe kërkojnë ndihmën tënde. Shko! Hallall të qoftë gjiri që ta kam dhënë dhe amanet po ta la, mos u merr para”. Amanetin e nanës jam munduar ta çoj në vend dhe deri me tani i kam nxjerrë mbi 500 viktima nga liqenet, lumenjtë dhe puset që i ka hedhë okupatori, kurrë nuk kam lejuar që dikush të ma jep një cent për këtë punë.”

Nxjerrja e trupave nga uji shpeshherë zgjatë me ditë me javë e me muaj siç na tregon për një rast që ka ndodhur në Leposaviq.

“Nezir Buleshkaj, i cili kishte ardhur nga mërgimi në një vizitë familjare, makina e tij, bashkë me të bien në Ibër të Leposaviqit. Aksioni ynë ka zgjat 20 ditë derisa e kemi gjetur, uji e kishte bartur shumë larg dhe për 20 ditë nuk e kemi ndërprerë aksionin deri sa e kam gjetur trupin e pa jetë. Varet nga temperatura, thellësia dhe ku futet apo bie viktima.”

Misioni i humanistit nuk njeh armik edhe pse të okupuar nga regjimi serb, axha Ismail na tregon edhe një histori të një fëmijës së mbytur.

“Gjatë atyre viteve të okupimit kam qenë kryetar i Federatës së Sportit. Në vitin 1997, familjarët më thërrasin në telefon dhe tregojnë që është mbytur një fëmijë në liqenin Livoçit, dhe bashkëshortja me thotë: “Ismail, po të thërret një familje serbe, iu është mbytur fëmija dhe po qajnë”. Unë i thash: “mos ua jep numrin e telefonit dhe thuaju ka shkuar për Pejë”. Gruaja me thotë: “si me i gënjy?” Unë kam qenë i burgosur edhe i thashë:  “ata po na burgosin, po na vrasin, dhe ti nuk ke mundësi të thuash se ka shkuar për Pejë…?!”

“Në ora 23:00 vijnë dy makina nga Gjilani, dalin, ishin të mërzitur. “Na është mbytur fëmija qe 5 ditë e nuk po munden me e gjet”, më thanë. Avdyl Rama, i cili ka qenë në kryesi të LDK-së, më thotë: “shko!”. I thashë: “jo!”. “Pa kontaktuar me Ibrahim Rugovën nuk shkoj”.Kam shkuar dhe kam takuar të ndjerin, Presidentin Ibrahim Rugovën me të ishte edhe Fehmi Agani. Atyre u thashë: “si të shkoj ta nxjerr një serb, ata po na burgosin, po na vrasin e unë me ua nxjerr fëmijën!”. Presidenti Rugova më tha: “Veç një amanet po ta lë, pasi që janë zhytësit nga Beogradit mos hyj në ujë me ta se mos po ta ndalin aparatin.” Kam vendosur të shkoj dhe aty ishin diku rreth 500 veta të mbledhur. Nga uji dalin zhytësit e Beogradit dhe thonë: “ne e përfunduam nuk mundemi me gjet. A do hysh sipas marrëveshjes?” U them: “po!”.

“Me t’u futur në ujë si me ditë që është në atë vend, me të parën e kam gjetur viktimën.  Kur dola nga uji ata që ishin mbledhur më duartrokitën. Ndërsa një serb më fyu prej inatit se e gjeti shqiptari. Më kanë ftuar në darkë dhe më kanë duartrokitur”, kështu shprehet axha Ismail, i cili tërë këto vite i kaloi nën ujë dhe në shërbim të popullit./Motilokal.com