Klosi: Shqipëria destinacion tërheqës, cilësor dhe i qëndrueshëm turistik

Klosi: Shqipëria destinacion tërheqës, cilësor dhe i qëndrueshëm turistik

Komisioni i Kuvendit për Veprimtarinë Prodhuese dhe Tregtinë diskutoi sot në parim projektbuxhetin e vitit 2021 për Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, i cili u prezantua nga ministri Blendi Klosi.

Klosi prezantoi përpara deputetëve prioritetet e dikasterit që drejton për vitin e ardhshëm, duke theksuar se Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka për qëllim kthimin e Shqipërisë në një destinacion tërheqës turistik, cilësor dhe të qëndrueshëm. Sipas ministrit me përfundimin e investimeve në “Rrugën e Arbrit”, investimeve të “Rrugës së Kombit” dhe të akseve të cilat lidhen me zonat më të rëndësishme turistike, me zbehjen e pandemisë botërore, synimi kryesor është turizmi.

“Sa i përket zonave të mbrojtura dhe prioriteti që kemi për to, po përfundojmë dhe kemi përfunduar tashmë hartizimin, transformimin e tyre në destinacione turistike, dhe për promovimin e tyre kemi nevojë për buxhet”, theksoi ndër të tjera Klosi.

Më tej, ministri u ndal tek mbrojtja e pyjeve dhe e mjedisit, që sipas tij është kryefjala botërore dhe Shqipëria s’mund të ngelet pas.

Pas prezantimit të ministrit Klosi, deputetët e komisionit vijuan me diskutime dhe pyetje në lidhje me projekt-buxhetin e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit./Motilokal.com