Miliona njerëz në Vietnam po përballen me një "katastrofë vdekjeprurëse të dyfishtë" ndërsa vendi tashmë vuan nga ndikimi i COVID-19 në anën tjetër po lufton me përmbytjet më të këqija për dekada, thotë Kryqi i Kuq.
Përmbytjet dhe rrëshqitjet e dherave këtë muaj kanë vrarë mbi 100 njerëz, shumë prej tyre ushtarë dhe kanë lënë dhjetëra të tjerë të zhdukur.
"Kudo ku shohim, shtëpitë, rrugët dhe infrastruktura janë përmbyturr", tha Kryqi i Kuq në një deklaratë.
Zyra e Vietnamit e Komitetit Drejtues për Parandalimin dhe Kontrollin e Katastrofave Natyrore njoftoi se 52.933 shtëpi u përmbytën, ndërsa 24.734 u dëmtuan seriozisht.
Mbi 107.500 hektarë oriz dhe kultura ushqimore u dëmtuan nga përmbytjet, ndërsa mbi 461 mijë bagëti dhe shpendë ngordhën ose u rrëmbyen nga ujërat e mëdha. Rrëshqitjet e tokës dhe përmbytjet po ashtu dëmtuan 12 autostrada kombëtare dhe rrugë lokale.
Kryeministri Nguyen Xuan Phuc nisi një fushatë mbarëkombëtare për të mbledhur fonde për familjet e varfra dhe viktimat e përmbytjeve.
Shirat e dendur kanë goditur Vietnamin që nga 10 tetori. Këtë vit, kombi i Azisë Juglindore po përgatitet për tajfunin e tij të shtatë, Nangka.
Zyrtarët meteorologjikë kanë parashikuar reshje të vazhdueshme shiu në rajon ditëve në vijim për shkak të presionit të ulët në veri të Detit të Kinës Jugore, i njohur po ashtu si Deti Lindor në Vietnam./Motilokal.com
