‘Të ecim së bashku shtigjeve të Dardanisë’, hapet sezoni turistik vjeshtë-dimër në Kosovë

‘Të ecim së bashku shtigjeve të Dardanisë’, hapet sezoni turistik vjeshtë-dimër në Kosovë

Me moton “Të ecim shtigjeve të Dardanisë”, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka bërë hapjen e sezonit turistik vjeshtë-dimër.

Ky aktivitet është mbajtur në Brod të Dragashit ku është thënë se fuqizimi i turizmit do të ndikojë drejtpërdrejt në krijimin e vendeve të punës.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, ka thënë se së bashku me homologun shqiptar, Blendi Klosi, janë duke u përpjekur që të promovojnë vendet turistike të Kosovës dhe Shqipërisë.

Ministri Krasniqi ka ftuar bizneset që të investojnë në fushën e turizmit në Kosovë dhe Shqipëri.

“Duke parë se turizmi në vendet tona ka potencial të madh për të ju ofruar vizitorëve, ne dy ministrat jemi dakorduar që të bëjmë promovimin e vendeve së bashku. Jemi duke punuar për të krijuar guida për vizitorët. Sektori i turizmit është mjaft i rëndësishëm në vendin tonë dhe unë jam përkushtuar që përmes dikasterit që drejtoj duke rritur buxhetin në fushën e turizmit. I ftoj bizneset nga vendi ynë dhe jashtë që të investojë në fushën e turizmit në këto të dyja vendet”, është shprehur ministri Krasniqi.

Ndërkohë ministri i Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, Blendi Klosi, ka shtuar se kufiri administrativ nuk duhet të jetë problem për promovimin e destinacioneve turistike në mes të dy shteteve.

Ministri i Turizmit, Blendi Klosi theksoi se “Pusho Shqip” synoi transformimin e turizmit në të dy anët e bjeshkëve  për të promovuar në mënyrë të përbashkët, një destinacion i cili nuk ka nevojë të ketë ndarje administrative.

“Doja të falënderoja operatorët turistikë kosovarë që kanë mbajtur një ritëm të jashtëzakonshëm. Deti është i çdo shqiptari jo vetëm i shqiptarëve të Shqipërisë, ta shndërrojmë në destinacion  në rajon”, tha Klosi.

“E këtu në Dragash, një vend që vizitohet shumë nga shqiptarët e Shqipërisë, paramendoni si do të jetë e ardhmja e kësaj zone nëse ne bashkojmë Shishtavecin me Kosovën,  por edhe Maqedoninë e Veriut. Duhet të mbledhin forcat e të mbështesim njëri-tjetrin, t’u bëjmë thirrje të vizitojnë Dragashin dhe të vizitojnë të gjitha pikat tona të Kosovës”, tha ai.

I pranishëm në aktivitet, kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli u shpreh se ky përbën hapin e dytë drejt turizmit pa kufi, nën moton “Të ecim së bashku shtigjeve të Dardanisë”, duke vijuar atë çka iniciuam së bashku në sezonin veror nën moton “Pusho Shqip”.

Edhe zëvendëskryeministrja e Kosovës, Albulena Balaj-Halimaj, ka thënë se qeveria Hoti do ta ketë prioritet turizmin.

Ajo ka vlerësuar se zhvillimi i turizmit sjell fitime ekonomike dhe vende të reja të punës./Motilokal.com