Shoqata e Ruajtjes dhe e Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) ka bërë të ditur se shqiponja e malit është ulur në tokë dhe ka vizituar stacionin suplementar në Kurvelesh.
“I ndërtuar si një masë e drejtpërdrejtë konservuese ndaj helmimit të popullatës së kalit të qyqes, stacioni suplementar në Kurvelesh ka tërhequr dhjetëra shpendë të tjerë, duke përfshirë edhe mbretëreshën e qiejve, simbolin tonë kombëtar, shqiponjën e malit (Aquila chrysaetos)”, njofton PPNEA
Ky shpend i mahnitshëm, me një gjatësi të hapjes së krahëve prej 190 – 225 cm, përbën një siluetë gjithnjë e më të rrallë në qiellin e Shqipërisë.
“Për këtë arsye, sa herë që ky lloj viziton stacionet tona, nuk mundemi të mos shfaqim gëzim. Shqiponja e malit është vizitori i dytë më i shpeshtë i stacionit tonë në rajonin e Kurveleshit. Ashtu si kali i qyqes edhe ky lloj rrezikohet nga kurthet e helmatisura”, thekson PPNEA./Motilokal.com
