Një studim i ri i Institutit Britanik për Hulumtime në Antarktidë ka zbuluar kanale të tjera, nën shtratin e detit atje, të cilat mbartin ujëra të ngrohtë nga oqeani duke rritur potencialin për ngritjen e nivelit të detit.
Gjetjet e botuara në revistën Cryosphere tregojnë se shtrati i oqeanit është më i thellë nga sa mendohej më parë, me kanale më të thella që çojnë drejt takimit të akullit me tokën dhe bëjnë që akulli të shkrijë në mënyrë të përshpejtuar.
Akulli që kullohet në detin Amundsen të Antarktidës Perëndimore nga akullnaja gjigante Thwaites dhe të tjera më të vogla rreth saj, është arsyeja e rritjes së nivelit të detit rreth 4% dhe shkencëtarët thonë se është shumë e ndjeshme ndaj ndryshimeve klimatike.
Gjatë tre dekadave të fundit, shkalla e humbjes së akullit nga Thwaites, e cila është afërsisht me madhësinë e Britanisë së Madhe ose shtetit amerikan të Florida-së dhe akullnajat e saj fqinje është rritur më shumë se pesë herë.
Nëse Thwaites do të vazhdojë të shkrijë në këtë mënyrë derisa të mos ekzistojë fare, kjo do të çonte në një rritje të nivelit të detit deri në 64 centimetra.
Shkencëtarët nga International Thwaites Glacier Cooperation (ITGC) po përpiqen të zbulojnë se sa shpejt mund të ndodhë shkrirja e plotë dhe po vazhdojnë të mbledhin të dhëna duke fluturuar mbi akullnajën me një avion binjak vidër të Antarktik Survey (BAS) në Britani, si dhe duke përcjellë sipërfaqen e detit nga programi i SHBA-së Akullthyesi Antarktik të RV, Nathaniel B. Palmer.
Zgavrat e fshehura poshtë akullit ka të ngjarë të jenë rruga përmes së cilës kalon uji i ngrohtë i oqeanit, thanë ata.
"Akullnaja Thwaites është një nga akullnajat më domethënëse në Antarktidën Perëndimore, sepse duke u nisur nga madhësia që ka, është shqetësues fakti që po mund të shohim se si ajo po ndryshon", tha për CNN Dr. Tom Jordan, një aero-gjeofizikan në BAS i cili udhëhoqi anketën ajrore.
Ai tha se teorikisht, këtë mund ta quajmë si një paqëndrueshmëri të shtresës detare sepse nëse një akullnajë fillon të shkrijë, është një proces i cili thjesht do të vazhdojë, nuk ndalon më.
Jordan tha se gjatë kërkimeve të tyre u morën me të dhënat nga kanalet poshtë akullit, të cilat mund të arrinin një thellësi deri në 800 metra, si dhe analizuan se si mund të reagojë shtresa e akullit me kalimin e kohës.
Duke e quajtur një hap shumë të rëndësishëm gjetjen e këtyre kanaleve, ai tha se tani e tutje do të jetë shumë më e lehtë për të përcaktuar saktësisht sasinë e ngritjes së nivelit të detit.
Jordan tha se gjeo-inxhinieria kishte sugjeruar që të bllokohen këto kanale, por marrë parasysh se po flasim për një zonë shumë të largët, logjikisht kjo ide nuk mund të realizohet. Si zgjidhje më e thjeshtë shihet trajtimi më serioz i ndryshimeve klimatike.
Pasi shkencëtarët të mund të demonstrojnë rritjen e pritur të nivelit të detit në lidhje me Antarktidën Perëndimore, ai tha, ata do të kenë më shumë prova kur bëjnë thirrje për veprim për të zbutur ndryshimin e klimës.
Ekipi mblodhi të dhëna edhe nga shkrirja e shpejtë e akullnajave Dotson dhe Crosson që ndodhën në muajt janar dhe mars 2019.
Kjo u dha mundësinë që të vëzhgojnë më shumë se 2,000 kilometra katrorë të detit.
Zona e studiuar u shkëput nga Thwaites që në vitin 2002, por ishte fshehur nën pjesën lundruese të akullit dhe trashësia që kishte e bënte të pamundur studimin e saj./Motilokal.com
