Gjatë muajve korrik-shtator, në Shqipëri, ndodh grumbullim në numër të madh i skifterit kthetraverdhë (Falco naumanni). Kjo për arsye se periudha në fjalë korrespondon me atë të parashtegtimit për këtë lloj. Është vërtetuar tashmë që në këtë periudhë, skifteri kthetraverdhë kryen lëvizje të largëta në drejtime të ndryshme, madje kryesisht në veri të territoreve të folezimit, nëse gjenden zona me ushqim të bollshëm, që u lejojnë familjeve të reja të grumbullojnë rezervat e duhura energjitike për të ndërmarrë shtegtimin e largët drejt Afrikës.
Shqipëria ndonëse vend me sipërfaqe të vogël, përfaqëson vendin e parë dhe më të rëndësishëm në Evropë për skifterin kthetraverdhë gjatë periudhës së para shtegtimit.
Organizata “Shpendët e Shqipërisë”, ka njoftuar se në vendin tonë është gjetur deri më tani një rrjet relativisht i dendur me fjetore të këtij lloji, duke mbajtur një numër individësh deri në 6000, sikurse është rasti i fjetores së Luginës së Drinos, e cila është më e madhja në vendin tonë.
“Rrjeti i fjetorëve të gjetura deri më tani, ndodhet pothuajse krejtësisht nën pjesën qendrore të Shqipërisë, kësisoj, “Shpendët e Shqipërisë” gjatë këtij sezoni parashtegtimi ka ndërmarrë një nismë kërkimi për të gjetur vendgrumbullime të këtij lloji në Shqipërinë veriore dhe rezultatet e para pozitive më në fund u përftuan”, thuhet në njoftim.
Sipas tyre është pikërisht Ultësira e Nënshkodrës vendi ku vullnetarët tanë gjetën vendgrumbullimin e parë të këtij lloji në Shqipërinë veri-perëndimore.
“Vullnetarët tanë, pas kërkimit në zonë, arritën të lokalizojnë vendin në afri të aeroportit të Gjadrit, ku u numëruan 22 individë të këtij lloji, që qëndronin në telat përcjellës së energjisë elektrike. Vendi u vizitua për 2 ditë rresht, por për shkak të sipërfaqes së madhe fjetoria e llojit nuk u gjet, megjithëse duhet të jetë diku pranë zonës së vendgrumbullimit të pasdites së vonë”, thekson Organizata “Shpendët e Shqipërisë”.
“Shpendët e Shqipërisë” apelon nëse dikush ka dëshirën dhe vullnetin për të bërë kërkime të mëtejshme në zonë për gjetjen e fjetores, lutemi të na kontaktojë, në mënyrë që të përcjellim informacionin e detajuar të gjetjeve tona për të udhëzuar kërkimet. Ndërkohë, nëse shihni grumbullime të këtij lloji në vijim, lutemi të na sinjalizoni./Motilokal.com
