Albanian Ornithological Society (AOS) ka njoftuar se pas afro dy muajsh në Qendrën e Rehablitimit të Shpendëve në Divjakë, Shkaba Mokoš fluturon sërish e lirë në natyrë!
Sipas AOS Mokoš u gjet në 7 Qershor 2020, në Koplik (Malësi e Madhe), nga një ekip i AOS dhe u përcoll menjëherë në Divjakë për tu kuruar ne Qendrën e Rehabilitimit të Shpendëve të Egër.
“Gjendja e tij shëndetësore fillestare ishte fort e vështirë dhe rekuperimi ishte mjaft i ngadaltë. Por falë përkujdesjeve të vazhdueshme të stafit të Administrata e Zonave te Mbrojtura-Qarku Fier, anëtarëve të AOS-Albanian Ornithological Society, dashamirësve të tjerë dhe këshillave të vazhdueshme nda ekspertët e Beli Visitor Centre and Rescue Centre for Griffon Vultures, Mokoš arriti të përmirësohet dhe të bëhet gati për fluturim të lirë”, theksoi AOS.
Lëshimi i Mokoš u krye mëngjesin e datës 14 Gusht 2020 në Luginën e Drinos. Ky vend u përzgjodh, pas diskutimit me ekspertët kroatë, për shkak të afërsisë me Greqinë ku ndodhet një koloni e shkabave prej ku Mokoš mund të gjendej me shpejt midis individëve të species së vet. Veç kësaj, lugina e Drinos dhe e Vjosës është një habitat i parapëlqyer për Shkabat e sidomos Kalin e Qyqes.
Më tej ata bën të ditur se lëshimi i Mokoš nuk u shoqërua me një fluturim të menjëhershëm. Në fillim Mokoš nguroi të fluturonte dhe i kaloi çastet e para duke eksploruar e njohur territorin e ri. Më pas, fluturoi dhe u vendos në një shkëmb ku kaloi dhe natën.
“Pas dy ditë aklimatizimi në zonë, gjurmuesi satelitor tregon se Mokos po kryen fluturime mbi Malin e Buretos dhe në Çajup. Shpresojmë që tashmë të ketë njohur si duhet zonën dhe të aftësohet për të kryer distanca edhe më të largëta. Ndërkaq, lëvizjet e tij po ndiqen me shumë kujdes nga AOS dhe Beli Visitor Centre and Rescue Centre for Griffon Vultures”, deklaruan nga AOS./Motilokal.com


