Plazhi i Gjeneralit është pjesa më e bukur dhe më tërheqëse në të gjithë rivierën e Kavajës të përbërë prej 30 kilometra vijë bregdetare, që të bën ta dashurosh në momentin që të shfaqet befas në horizont, sapo ke kaluar kodrat e Kryevidhit. Kepat shkëmborë që e rrethojnë, janë konglomeratikë dhe e kanë mbushur bregun me zaje të vegjël shumëngjyrësh që formojnë një mozaik të mahnitshëm i cili harmonizohet me blunë e ujit, të gjelbrën e shkurreve dhe të verdhën e rërës së plazhit. Bota ujore është pasur me peshq të llojeve të ndryshëm dhe më një specie të veçantë breshke detare e cila ka zgjedhur pikërisht këtë plazh të vogël për të mbarështuar llojin e saj.
Panorama e gjirit është fantastike, ajo të krijon një ndjesi të plotë qetësie e çlodhjeje, të bën ta dashurosh natyrën. Vitet e fundit këtij gjiri i është qëndisur në kurriz të kodrave një kompleks i vogël turistik i cili para së gjithash ka respektuar natyrën, duke përdorur vetëm struktura prej druri, që nga vilat e vogla, apartamentet e deri tek verandat e restorantit që ofrojnë kuzhinë deti e peshk të freskët për pushuesit e shumtë. Çdo gjë është plotësisht në harmoni dhe e vendosur aty ku duhet të jetë duke i shtuar vetëm bukuri dhe aspak ngarkesë peizazhit.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, ka publikuar disa foto nga gjiri i mrekullueshëm i Plazhit të Gjeneralit, duke theksuar se është një zonë me biodiversitet të pasur tokësor dhe ujor.
“Plazhi i Gjeneralit, lindje dhe perëndime dielli që nuk duhen humbur, plazhe natyrore me një biodiversitet të pasur tokësor dhe ujor”, ka shkruar Klosi.
Këto peizazhe me bukuri përrallore, pastërtia e kristaltë e ujërave dhe e rërës e tërhoqën gjeneralin italian në vitet ’30 të shekullit të kaluar që të vinte me jaht në këtë plazh të virgjër dhe të pushonte me familjen e tij. Së bashku me vlerësimin, ai i la plazhit edhe emrin e gradës së tij të lartë ushtarake./Motilokal.com





