Inspekcioni i Komunës së Vushtrrisë ka gjobitur me 20 mijë euro një qytetar për dëmtim të argjinaturave të lumit Sitnica.
Në njoftimin e komunës thuhet se një qytetar i pandërgjegjshëm, duke vepruar në kundërshtim me ligjin, e për përfitime personale, ka dëmtuar rëndë argjinaturën/bankinën mbrojtëse nga vërshimet të lumit ‘Silnica’ afër fshatit Novolan.
Sipas Komunës së Vushtrrisë ky dëmtim i argjinaturës rrezikon vërshime masive dhe shkakton rrezik të përgjithshëm për pronat dhe jetën e qytetarëve.
“Inspektoret e Komunës së Vushtrrisë kanë dalë në vend ngjarje ku kanë konstatuar dëmin, kanë rrethuar me shirit vendin e ngjarjes dhe po ashtu kanë njoftuar policinë e Kosovës. Krimet e rënda kanë dalë në vend ngjarje dhe ndaj personit është iniciuar procedurë penale dhe procedurë disiplinore edhe në Inspektoratin Policor”, thuhet në njoftimin e komunës.
Komuna e Vushtrrisë ka bërë të diture se ndaj këtij qytetari të pandërgjegjshëm që fatkeqësisht është zyrtar policor, Inspektori Komunal ka shqiptuar gjobë 20,000€, e ka urdhëruar kthimin në gjendjen e mëparshme dhe ka iniciuar procedurë penale pranë organeve kompetente. Po ashtu është njoftuar Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit që ka dalë në vend ngjarje dhe ka shqiptuar gjobë në bazë të ligjit.
“Ruaje ambientin, pronën publike dhe lajmëro organet përgjegjëse kur dikush i dëmton.”/Motilokal.com

