Temperaturat e larta që e kanë përfshirë Kosovën kanë rikthyer shqetësimet për rrezikun e rënies së nivelit të ujit në liqenet akumuluese si dhe mungesën e sasisë së mjaftueshme të ujit të pijshëm.
Sikur të ishte ky i vetmi problem që mund të ballafaqohet Kompania Rajonale e Ujësjellësit ‘Prishtina’?! Borxhi i madh i konsumatorëve, keqpërdorimi i ujit të pijshëm, ndërtimet e shumta, humbjet komerciale e teknike dhe së fundmi pandemia COVID-19 janë disa prej problemeve me të cilat po ballafaqohet kjo kompani.
Në anën tjetër, nga kjo kompani furnizohen me ujë të pijshëm tetë komuna të Kosovës, përfshirë kryeqytetin, dhe kjo ka bërë që të grumbullohen borxhet nga konsumatorët në vlerë prej mbi 2 milion euro, vetëm gjatë pandemisë.
Për të kuptuar gjendjen aktuale me furnizim me ujë të pijshëm motilokal.com realizoi një intervistë me Ushtruesin e Detyrës së kryeshefit të ndërmarrjes KRU “Prishtina”, Sokol Xhafa.
Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj
z. Xhafa, si është gjendja në liqenet akumuluese Batllava dhe Badovci si dhe burimet tjera ujore nga te cilat furnizohet Prishtina me rrethinë?
Niveli i ujit në liqenet akumuluese sipërfaqësore Batllava e Badovci është jo edhe aq i kënaqshëm, për shkak të thatësisë së gjatë në vendin tonë. Niveli i ujit në liqenin e Batllavës është 629.29 metra mbi nivelin e detit ose 5.71 metra nën kuotën e kapërderdhjes, ndërsa niveli i ujit në liqenin e Badovcit është 640.40 metra mbi nivelin e detit ose 9.45 metra nën nivelin e kapërderdhjes. Po ashtu, burimet nëntokësore prej nga furnizohen me ujë të pijshëm disa komuna në zonën e shërbimit kanë shënuar nivele të ulëta të pasqyrës së ujit për shkak të ndikimit të thatësisë.
Ngritja e temperaturave dhe mungesa e reshjeve të shiut a do të ndikojnë që të ketë reduktime këtë verë?
Edhe pse reshjet gjatë muajit paraprak kanë qenë të mirëseardhura veçanërisht në situatën që po kalojmë, ato për fat të keq nuk kanë ndikuar shumë në rritjen e nivelit të ujit. Niveli i ujit në dy liqenet kishte një ngritje të mirë për stinën verës në veçanti, mirëpo vazhdon me trendin e rënies.
Sasia e ujit në akumulim nuk garanton vazhdueshmëri të furnizimit 24 orë me ujë. Shpërndarja është duke u bërë normale për të gjithë konsumatorët, por fatkeqësisht si rëndom konsumatorët (disa prej tyre) nuk mirëkuptojnë dhe e keqpërdorin ujin e pijshëm (i cili ka një kosto të lartë të trajtimit dhe shpërndarjes). Në bashkëpunim me komunat, respektivisht inspektoratet komunale, kemi filluar me inspektime shtesë në terren me qëllim të parandalimit të keqpërdorimeve.
Siç e kemi bërë të ditur edhe me herët reduktimet e ujit mund të fillojnë mirëpo në periudha të shkurtra gjatë natës, me qëllim që të ruajmë rezervat në akumulime. Reduktimet kanë qenë të planifikuar të fillojnë nga 01.07.2020, por prapëseprapë jemi duke iu shmangur duke i shtyrë deri në një periudhë tjetër. Ato gjithsesi do të jenë në orar të natës, atëherë kur kërkesa për ujë është minimale dhe nevojat po ashtu janë më të vogla.
Sa ndikojnë ndërtimet sidomos në drejtim të liqenit të Badovcit në furnizim me ujë? A ka ujë të mjaftueshëm për gjitha ato lagje të reja? A kërcënojnë furnizimin me ujë në lagjet që furnizohen nga ky liqe?
Sa i përket ndërtimeve në atë zonë, kjo vërtet paraqet problem dhe sfidë në vete, sepse investimi adekuat në infrastrukturë nuk i ka paraprirë zhvillimeve urbane në terren. Ndërtimi i këtyre lagjeve vetëm po e rëndon aspektin e furnizimit me ujë, sepse ky ndërtim është përqendruar në zonën ku më së shumti ka probleme sa i përket sigurimit të sasisë së mjaftueshme të ujit për atë zonë nga burimi i Badovcit. Sigurisht, gjendja ka filluar të rëndohet vite me herët kur janë zgjeruar lagje të reja në zonën e Matit dhe tani në drejtim të Badovcit në përgjithësi. Në komunikimet me Kuvendin Komunal të Prishtinës, i kemi njoftuar edhe më herët që një problem i tillë duhet të zgjidhet sa më shpejtë, andaj po shpresojmë që komuna të paktën për vitin tjetër këtë pikë ta futë në planin e buxhetit.
Sa është humbja e ujit? A dihet sa janë shkaku i humbjeve teknike shkaku i rrjetit dhe sa janë humbjet komerciale? Si ndikojnë këto humbje sidomos gjatë periudhave të thatësisë? Çfarë masa merr KRU Prishtina në zvogëlimin e humbjeve?
Sa i përket çështjes se humbjeve, humbjet kanë filluar të ulen falë aktiviteteve të ngjeshura, pavarësisht situatës me pandemi dhe vështirësive nëpër të cilat po kalohet operimi dhe mirëmbajtja e furnizimit me ujë në këtë kohë. Fatkeqësisht, ashtu siç është edhe në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor humbjet janë në nivelet mbi 50% të ujit të pafaturuar. KRU Prishtina si çdo ndërmarrje tjetër e Ujësjellësit në Kosovë është në implementim e sipër të strategjisë për reduktimin e humbjeve, prandaj po bëhet çmos që këto humbje të ulen. Sa i përket ndarjes rreth humbjeve teknike dhe komerciale, diçka e tillë është relativisht e vështirë për t’u caktuar me saktësi, mirëpo nga këto humbje që janë në propocion pas ndërtimit të bilancit ujor del që afro 60% të jenë humbje komerciale, kurse pjesa tjetër janë teknike.
A ka kompania kapacitete inspektuese për kontrollin e shfrytëzimit të paarsyeshëm nga rrjeti publik? Nëse nuk ka, a keni bashkëpunim me inspektorët komunal për parandalimin e keqpërdorimeve të ujit?
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” sh.a. (KRUP) më datë 9 qershor 2020 ka njoftuar të gjithë konsumatorët në zonën e shërbimit, Prishtinë, Fushë Kosovë, Lipjan, Podujevë, Obiliq, Shtime, Drenas dhe Graçanicë se, kjo kompani ka formuar grupe/komisione të veçanta për identifikimin dhe kontrollimin e të gjitha zonave të shërbimit, në gjetjen e kyçjeve ilegale në sistemin e rrjetit të ujësjellësit dhe keqpërdorimeve të tjera në forma të ndryshme.
Në kuadër të reduktimit të humbjeve të ujit, inspektorët kanë filluar me veprime në terren. Po ashtu, jemi në bisedime e sipër edhe me komunat përkatëse në zonën e shërbimit që bashkërisht me inspektoratet komunale të dalim në terren në gjetjen, identifikimin e shpërdoruesve të ujit.
Sa ka ndikuar pandemia COVID-19 në kryerjen e pagesave të ujit dhe sa është borxhi i konsumatorëve ndaj ujësjellësit Prishtina? Cila është thirrja juaj ndaj qytetarëve?
Borxhet janë në rritje, konsumatorët po paguajnë, por jo në nivelin e pritur. Shpresojmë të reflektojnë konsumatorët me pagesa, kundrejt shërbimit me qëllim që të arrijmë t'i furnizojmë me ujë e veçanërisht në situatën me thatësi që po kalojmë. Borxhi total i konsumatorëve nga viti 2000-2020 është mbi 45 milionë euro, ndërsa vetëm gjatë periudhës së pandemisë mbi 2 milion euro.
KRU “Prishtina” sh.a. falënderon të gjithë konsumatorët për pagesa të faturave të ujit.
Çdo pagesë që konsumatorët e realizojnë për shërbimet e ujësjellësit dhe kanalizimit do të kthehet në investime afatgjatë, duke e përmirësuar në vazhdimësi çdo shërbim që ndërlidhet me ujin dhe kanalizimin.
Ne kërkojmë pagesa për shërbimet e ujit dhe kanalizimit për dy arsye, moslejimin e grumbullimit të borxhit dhe për shkak të ruajtjes së qëndrueshmërisë financiare të kompanisë që ndërlidhet me shërbimet e ofruara, si trajtim i ujit, furnizim dhe mirëmbajtje.
Thirrja për pagesë, vlen për konsumatorët e tetë komunave, Prishtinë, Fushë Kosovë, Obiliq, Shtime, Lipjan, Drenas, Graçanicë dhe Podujevë.
Nëse konsumatorët vendosin të realizojnë pagesë në pikat e arkëtimit, i lusim ata që të respektojnë rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë për mbajtjen e distancës sociale dhe masat tjera mbrojtëse (maskat janë obligative).
Përveç pikave të arkëtimit të KRU “Prishtina” pagesa mund t’i bëni edhe përmes Postës së Kosovës, bankave komerciale dhe institucioneve mikro financiare.
Apelojmë për shfrytëzim racional të ujit dhe pagesa të rregullta për shërbime!/Motilokal.com
