A ju ka marrë malli për borë? Ja kur pritet të zbardhet toka

A ju ka marrë malli për borë? Ja kur pritet të zbardhet toka

Pas disa ditësh me mot të paqëndrueshëm dhe reshje shiu, rajoni ynë pritet të përfshihet nga një valë e ajrit të ftohtë polar, e cila do të sjellë ndryshim të ndjeshëm të kushteve atmosferike. Pasditen e së shtunës dhe gjatë mëngjesit të së dielës, temperaturat do të pësojnë rënie të theksuar, duke krijuar kushtet për kalimin e reshjeve të shiut në borë.

Fillimisht, reshjet e borës do të përfshijnë zonat kodrinore dhe malore, ndërsa më pas pritet të zbresin edhe në viset e ulëta të Kosovës.

Sipas parashikimeve, në pjesë të ndryshme të vendit pritet të krijohen edhe shtresa bore, kryesisht në zonat malore, por edhe në ultësira.

Moti dimëror nuk do të kufizohet vetëm në Kosovë. Reshje bore priten edhe në verilindje dhe lindje të Shqipërisë, si dhe në pjesën perëndimore dhe veriperëndimore të Maqedonisë së Veriut. Në zonat malore të këtyre rajoneve pritet të krijohen shtresa më të konsiderueshme bore.

Pas depërtimit të masave të ftohta ajrore, temperaturat do të mbeten të ulëta për disa ditë me radhë. Gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit pritet të ketë acar, ndërsa edhe temperaturat gjatë ditës do të mbeten të ulëta për këtë periudhë.

Këto kushte atmosferike do të favorizojnë ruajtjen e shtresës së borës, duke bërë që shumë zona të Kosovës dhe rajonit të përjetojnë një atmosferë tipike dimërore.

Kështu, fundjava pritet të sjellë pamjet e para dimërore, me borë në malet dhe ultësirat e disa pjesëve të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

/Motilokal.com