Nga sot, obligohet përdorimi i pajisjeve dimërore në automjete

Nga sot, obligohet përdorimi i pajisjeve dimërore në automjete

Duke filluar nga sot, 15 nëntor, të gjitha automjetet që qarkullojnë në trafikun rrugor duhet të jenë të pajisura me pajisje dimërore, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.

Ministria e Punëve të Brendshme ka rikujtuar se ky detyrim përcaktohet me Ligjin për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor dhe Rregulloren për Pajisjet e Detyrueshme të Automjeteve.

Sipas rregullores, për automjetet me peshë deri në 3,500 kilogramë, pajisjet dimërore përfshijnë gomat dimërore në të katër rrotat, me thellësi minimale të profilit prej 4 milimetrash.

Lejohet gjithashtu përdorimi i gomave verore në të katër rrotat, me thellësi minimale të profilit prej 4 milimetrash, me kusht që automjeti të ketë zinxhirë bore të përshtatshëm për rrotat lëvizëse ose pajisje të tjera përkatëse.

Për automjetet me të katër rrotat aktive (4×4), kërkesat janë më specifike. Gomat dimërore duhet të kenë thellësi minimale të profilit prej 6 milimetrash, ndërsa gomat verore 4 milimetra, nëse automjeti është i pajisur edhe me zinxhirë bore. Vendosja e tyre varet nga lloji i transmisionit të automjetit.

Ndërkaq, për automjetet me peshë mbi 3,500 kilogramë, kërkohen goma dimërore në rrotat lëvizëse, me thellësi minimale të profilit prej 6 milimetrash. Si alternativë, lejohen gomat verore me thellësi minimale prej 4 milimetrash, nëse automjeti posedon zinxhirë bore të përshtatshëm.

Autobusët dhe automjetet transportuese të mallrave, të cilat për arsye teknike nuk mund të pajisen me zinxhirë bore në rrotat lëvizëse, duhet të kenë goma dimërore dhe një lopatë.

Goma dimërore konsiderohen ato që në pjesën anësore kanë shenjat “MS”, “M+S”, “M&S”, si dhe simbolin e flokut të borës në një mal të stilizuar me tri maja.

Ministria rikujton gjithashtu se përdorimi i gomave me thumba në automjete është i ndaluar në trafikun rrugor.

Në fund, MPB-ja u ka bërë apel të gjithë shoferëve që ta respektojnë këtë detyrim ligjor dhe të sigurojnë pajisjet e nevojshme dimërore, me qëllim të rritjes së sigurisë dhe parandalimit të aksidenteve gjatë kushteve të vështira atmosferike.

/Motilokal.com