Avokati i Popullit ka publikuar raportin Ex officio nr. 251/2023, i cili trajton cilësinë e ajrit në Kosovë nga perspektiva e të drejtave të njeriut. Raporti u është adresuar Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera përgjegjëse, duke evidentuar sfidat me të cilat përballet vendi në luftimin e ndotjes së ajrit.
Sipas raportit, ndotja e ajrit vazhdon të jetë një ndër problemet kryesore mjedisore dhe të shëndetit publik në Kosovë. Të dhënat e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK) tregojnë se gjatë vitit 2025 janë regjistruar 171 ditë me tejkalim të vlerës kufitare ditore të grimcave PM₁₀ në rrjetin shtetëror të monitorimit. Përqendrimet më të larta të ndotjes janë vërejtur kryesisht gjatë sezonit të dimrit.
Raporti thekson se ekspozimi ndaj ajrit të ndotur rrit rrezikun për sëmundje të sistemit respirator dhe kardiovaskular. Sipas vlerësimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), më të rrezikuar nga pasojat e ndotjes janë fëmijët, të moshuarit dhe personat që vuajnë nga sëmundje kronike.
Në raport janë evidentuar edhe mangësitë në zbatimin e legjislacionit mjedisor, kapacitetet e pamjaftueshme njerëzore dhe teknike për mbikëqyrjen inspektuese, si dhe nevoja për forcimin e monitorimit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.
Duke iu referuar standardeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Avokati i Popullit vlerëson se shteti ka detyrim të ndërmarrë masa parandaluese dhe efektive për mbrojtjen e qytetarëve nga pasojat e ndotjes mjedisore, veçanërisht kur institucionet janë të informuara për rreziqet që ajo paraqet për jetën dhe shëndetin e tyre.
Në këtë drejtim, Avokati i Popullit u ka drejtuar institucioneve përgjegjëse një sërë rekomandimesh, të cilat synojnë zbatimin më efektiv të legjislacionit, forcimin e mekanizmave institucionalë, avancimin e politikave publike dhe ndërmarrjen e masave të koordinuara e afatgjata për reduktimin e ndotjes së ajrit.
Raporti synon të kontribuojë në mbrojtjen e shëndetit publik dhe garantimin e së drejtës së qytetarëve për të jetuar në një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm.
Raportin e plotë mund ta gjeni këtu: > https://bit.ly/4iyLiyH
/Motilokal.com
