Ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se të mërkurën ka pranuar zyrtarisht Studimin për vlerat natyrore të Malit Mokna dhe Liqenit të Ujmanit, i cili shërben si bazë për nisjen e procedurave për shpalljen e këtyre zonave si territore të mbrojtura.
Përmes një njoftimi në Facebook, Pacolli ka bërë të ditur se studimi dëshmon biodiversitetin e pasur dhe potencialin turistik të këtyre dy zonave, duke ofruar bazë shkencore për mbrojtjen dhe zhvillimin e tyre të qëndrueshëm.
Ajo ka theksuar se, pas pranimit të dokumentit, Ministria do të nisë procedurat e mëtejshme, me qëllim që nisma të përcillet për votim përfundimtar në Kuvend.
Sipas Pacollit, shpallja e Malit Mokna dhe Liqenit të Ujmanit si zona të mbrojtura do të ndikojë në rritjen e sipërfaqes së territorit të mbrojtur në Kosovë nga 11 në 12.4 për qind.
“Shpallja e Malit Mokna dhe Ujmanit si zona të mbrojtura është një arritje madhore që rrit sipërfaqen e territoreve tona të mbrojtura nga 11% në 12.4%. Kjo e pozicionon Kosovën në nivelin më të lartë në të gjithë rajonin”, ka deklaruar Pacolli.
Ajo ka shtuar se institucionet do të vazhdojnë angazhimin për mbrojtjen dhe ruajtjen e pasurive natyrore të Kosovës.
/Motilokal.com
