Instituti Atlas: Ajri në Kosovë është më i pastër, por ndotja mbetet shqetësuese

Instituti Atlas: Ajri në Kosovë është më i pastër, por ndotja mbetet shqetësuese

Ajri në Kosovë është më i pastër krahasuar me pesë vjet më parë, por ndotja vazhdon të mbetet problem serioz, veçanërisht gjatë muajve të dimrit. Kështu bëhet e ditur në një analizë të publikuar nga Atlas Institute, bazuar në shtatë të dhëna nga raportet e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK) për periudhën 2020–2025.

Sipas të dhënave të paraqitura, mesatarja vjetore e grimcave të imëta PM10 ka shënuar rënie prej 57 për qind, ndërsa ajo e PM2.5 ka rënë për 48 për qind, krahasuar me vitin 2018. Këto grimca konsiderohen ndër ndotësit më të dëmshëm për shëndetin, pasi mund të depërtojnë në sistemin e frymëmarrjes.

Përmirësim është vërejtur edhe në numrin e ditëve me ajër të ndotur. Sipas grafikës, numri i ditëve kur tejkalohen vlerat e lejuara ka rënë për 72 për qind, nga 603 ditë të regjistruara në vitin 2020 në 171 ditë në vitin 2025, duke përfshirë të dhënat e paraqitura për Prishtinën dhe Pejën.

Megjithatë, pavarësisht këtij progresi, ndotja e ajrit vazhdon të jetë një sfidë për shëndetin publik dhe mjedisin në Kosovë. Të dhënat tregojnë se përmirësimi i cilësisë së ajrit kërkon vazhdimin e masave për uljen e emetimeve dhe trajtimin e burimeve kryesore të ndotjes.

Sipas Atlas Institute, këto rezultate tregojnë se situata mund të përmirësohet, por nevojiten përpjekje të vazhdueshme për të siguruar ajër më të pastër dhe kushte më të shëndetshme për qytetarët.


/Motilokal.com