Më shumë se gjysma e familjeve në Kosovë tashmë kanë kondicionerë, ndërsa përhapja e tyre është rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit.
Sipas të dhënave të publikuara nga Atlas Institute, në vitin 2025 kondicionerë kanë pasur 56.1 për qind e familjeve në Kosovë. Pesë vite më parë, kjo përqindje ishte vetëm 8.8 për qind.
Me këtë nivel, Kosova është afruar me Italinë, ku kondicionerë kanë rreth 56 për qind e familjeve, ndërsa është dukshëm mbi mesataren evropiane prej rreth 20 për qind. Në Francë, kondicionerë kanë rreth një në katër familje, ndërsa në Gjermani rreth një në pesë.
Rritja e përdorimit të kondicionerëve lidhet edhe me temperaturat gjithnjë e më të larta gjatë muajve të verës, duke i shtyrë familjet të kërkojnë mënyra për të përballuar të nxehtin.
Megjithatë, përhapja e shpejtë e kondicionerëve sjell edhe një sfidë për sistemin energjetik. Çdo pajisje e re rrit kërkesën për energji elektrike pikërisht gjatë muajve të verës, kur konsumi mund të jetë i lartë dhe kur sigurimi i energjisë përmes importeve mund të jetë më i kushtueshëm.
Rritja e përdorimit të kondicionerëve tregon kështu jo vetëm ndryshimin e mënyrës së jetesës së familjeve kosovare, por edhe nevojën për planifikim më të mirë të konsumit dhe kapaciteteve energjetike në vend.
/Motilokal.com
