Derisa shumë vende të botës kanë filluar që t’i lehtësojnë masat kundër koronavirusit, Organizata Botërore e Shëndetësisë i ka paralajmëruar ato se mund të përballen me “valën e dytë” të të infektuarve.
Në pjesën më të madhe të Evropës dhe Azisë Lindore, virusi duket se është zbehur, por pjesa tjetër e botës është ende duke luftuar valën e parë të tij.
Mjeku Mike Ryan, kreu i Emergjencës në OBSH, ka dhënë këtë paralajmërim gjatë një konference për media, ku derisa numri i rasteve të reja është duke rënë, sipas tij vendet e botës mund të përballen me një “valë të dytë” nëse masat lehtësuese aplikohen me shpejtësi të madhe.
Ryan tha se pandemitë shpesh ndodhin në valë, që do të thotë se zonat ku vala e parë është heshtur, mund të goditen përsëri këtë vit.
Ka po ashtu shanse që niveli i infeksioneve të rritet, nëse masat për të frenuar valën e parë lehtësohen shumë shpejt, paralajmëroi Ryan.
Deri më tani koronavirusi ka infektuar afro 5.5 milionë njerëz në gjithë botën dhe ka vrarë mbi 346,000.
Shtetet e Bashkuara kanë numrin më të madh të të infektuarve dhe viktimave: mbi 1.6 milion, përkatësisht mbi 98,000.
Shtetet më të goditura në Evropë janë Mbretëria e Bashkuar, Spanja, Italia dhe Franca./Motilokal.com
