Vullnetarë të shoqatës “Shpendët e Shqipërisë” dhe Administrata e Zonave të Mbrojtura Shkodër realizuan hartëzimin e plotë të vendfolezimeve të dallëndyshes së detit faqebardhë (Chlidonias hybrida) në Liqenin e Shkodrës si dhe monitorimin e folezimit të këtij lloji.
Liqeni i Shkodrës përfaqëson mjedisin e vetëm në Shqipëri ku gjendet një koloni e dallëndyshes së detit faqebardhë. Kjo falë disa pjesëzash habitatesh të shkëlqyera që formohen në këtë liqen, që në të njëjtën kohë krijojnë kushte ideale për folezimin e këtij lloji.
Një total prej 370 çiftesh folezuese u numëruan gjatë ekspeditës së parë të monitorimit. Shpendët ishin në vrullin e ndërtimit të foleve ku në ditët e ardhshme do të lëshojnë vezët dhe do të fillojnë ngrohjen e tyre.
“Është thelbësore që në këtë periudhë deri së paku në mesin e muajit korrik kur të gjithë të rinjtë lenë foletë, të shmanget çdo shqetësim në zonat e folezimit. Për këtë kërkojmë bashkëpunimin e të gjitha grupeve të interesit dhe qytetarëve, duke iu kërkuar dhe falënderuar paraprakisht për shmangien e plotë të çdo aktiviteti apo hyrjeve në zonat e folezimit”, thuhet në njoftimin e shoqatës “Shpendët e Shqipërisë”./Motilokal.com

