Sot disa qytete të Kosovës janë përfshirë nga era të forta dhe është vërejtur ndotje e ajrit.
Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK) në një komunikatë ka sqaruar se kjo gjendje e rënduar ka ardhur për shkak të ndikimit të masave të nxehta të ajrit me origjinë nga Afrika Veriore.
Sipas AMMK-së gjatë ditës së sotme është vërejtur situatë e rënduar e cilësisë së ajrit në mënyrë të veçantë për Grimcat e Pluhurit PM2.5 dhe PM10, në disa stacione matëse të menaxhuara nga Instituti Hidrometeorologjike i Kosovës. Gjendje e rënduar e cilësisë së ajrit për parametrat PM2.5 dhe PM10 është regjistruar në stacionet në Prishtinë (IHMK dhe Rilindja), Prizren, Pejë, Gjilan dhe Mitrovicë.
Në njoftimin e AMMK-së thuhet se kjo situatë ka ardhur si rezultat i kushteve aktuale meteorologjike në të cilat ndodhet vendi ynë. Sipas të dhënave meteorologjike të IHMK-së, Kosova aktualisht është nën ndikimin e masave të nxehta të ajrit me origjinë nga Afrika Veriore. Pluhuri i ardhur nga Sahara në Evropë që ka përfshirë edhe Kosovën ka ndikuar në rritjen e vlerave të grimcave të pluhurit.
Bartja e pluhurit dhe grimcave të vogla të rërës nga Sahara, është një fenomen që përfshinë shpesh Evropën dhe që manifestohet kryesisht me praninë e grimcave të pluhurit në ajër./Motilokal.com
