Ekspertët paralajmërojnë valën e dytë të COVID-19 në Evropë

Ekspertët paralajmërojnë valën e dytë të COVID-19 në Evropë

Teksa vendet po lehtësojnë masat shtrënguese kundër pandemisë COVID-19, në Evropë ekziston frika e një vale të dytë infektimi përgjatë verës.

Nisur nga eksperienca me viruset e tjera, ekspertët janë pothuajse të sigurt se virusi do të kthehet përsëri. Rreziku rritet akoma më shumë nga fakti se numri i ulët i rasteve dhe rritja e temperaturave mund t’i shpjerë njerëzit drejt një moskokëçarjeje sa i takon distancimit social dhe rregullave të higjienës.

Stefan de Keersmaecker, zëdhënës i Komisionit Evropian është shprehur se shtetet anëtare të BE duhet të përgatiten për një valë të dytë  të infektimeve dhe të shfrytëzojnë çdo mundësi për të përmirësuar sistemet ekzistuese të mbikëqyrjes. Brukseli nënvizon se mbetet e përkushtuar të punojë me Qendrën Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve për të siguruar që ka komunikim të vazhdueshëm rreth rrezikut.

De Keersmaecker thotë se kjo është e rëndësishme për të siguruar që qytetarët të kuptojnë që valët e reja të infektimeve mund të ndodhin edhe nëse  vala fillestare menaxhohet me sukses.

Sipas komunitetit shkencor gjerman, për të përballuar më mirë fazën 2, secili vend duhet të ketë vende të mjaftueshme të kujdesit intensiv për pacientët e mundshëm COVID-19, duke llogaritur paraprakisht atë pjesë të popullatës të prekur nga patologjitë e mëparshme.

Shteteve Anëtare të BE-së u kërkohet të heqin kufizimet gradualisht dhe me kujdes, duke marrë parasysh të dhënat epidemiologjike. Sipas ekspertëve, çdo vend duhet të ketë njësi të mjaftueshme të kujdesit intensiv në gatishmëri si dhe vende në spitale për ata njerëz që vuajnë nga COVID-19.

OBSH ka deklaruar se në këtë fazë duhet vigjilencë ekstreme. Pandemia  COVID-19 ende nuk ka mbaruar./Motilokal.com