Institutit Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK), në një komunikatë për media ka njoftuar se janë regjistruar edhe 11 raste të reja me koronavirus, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 895, ndërsa janë shëruar dy pacientë.
“Sot më 11 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 196 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren”, thuhet në kumtesë.
Sipas IKSHPK-së me SARS-CoV-2, janë konfirmuar 11 raste.
Në njoftimin e IKSHPK-së bëhet e ditur se rastet pozitive janë raste kontakti nga: komuna e Vushtrrisë 5 raste (sipas vendbanimit: 5 raste Studime e epërme), komuna e Prizrenit 3 raste (sipas vendbanimit: 3 raste Prizren), komuna e Prishtinës 2 raste (sipas vendbanimit: 2 raste Prishtinë) dhe 1 rast me vendbanim në Ferizaj.
Ndërsa lajmi i mirë është se janë shëruar edhe 2 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 657 raste.
“Nga data 08 shkurt deri më 11 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 10.130 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 895 raste, me gjithsej 28 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese”, thuhet në njoftim.
IKSHPK nënvizon se në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome.
Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 11 maj 2020 sipas Worldometers, janë raportuar gjithsej 4.236.625 raste të COVID-19 dhe 286.006 raste të vdekjes./Motilokal.com
