Nga Dr. Besim Morina - Pulmolog
Mushkëritë në dukje i përngjajnë sfungjerit, ato janë shumë elastike dhe të mbushura plot me ajër. Nga aty oksigjeni i nevojshëm për jetën hyn në gjak, dhe në anën e kundërt dioksidi i karbonit i dëmshëm për trupin largohet nga gjaku dhe me ajër del jashtë.
Pneumonia paraqet pezmatimin apo ënjtjen e këtij “sfungjeri”, me ҫ’rast hapësirat ku duhet të hyjë ajri mbushen me lëng. Ky pezmatim i mushkërive zakonisht shkaktohet nga një infeksion me baterie, kurse më rrallë nga ai me virus.
Simptomat më të shpeshta të pneumonisë janë: kolla, vështirësia në frymëmarrje, temperatura e lartë, ethet, djersitja, plogështia e rëndë, humbja e oreksit dhe dhimbja e gjoksit gjatë kollitjes. Kolla mund të jetë e thatë, apo e shoqëruar me këlbazë.
Pneumonia paraqitet më së shpeshti në muajt e vjeshtës dhe dimrit. Ajo mund t’i prekë të gjitha moshat, por të fëmijët dhe të moshuarit pneumonia është më serioze. Grupe tjera me rrezik të lartë të zhvillimit të pneumonisë janë edhe duhanpirësit, personat të cilët vuajnë nga sëmundje kronike të zemrës e veshkave, personat me astmë, bronkit kronik, apo te ata cilët kanë imunitet të dobët si në rastet pas një gripi apo kimioterapisë.
Dyshimi për pneumoni vendoset në baze te simptomave të sëmundjes si dhe tingujve kërcitës që dëgjohem gjatë auskultimit të gjoksit dhe shpinës me stetoskop. Për t’u verifikuar behet radiografia e mushkërive.
Format e lehta të pneumonisë zakonisht trajtohen në shtëpi, me antibiotikë, duke pirë sasi të bollshme të lëngjeve si dhe me pushim të mjaftueshëm. .
Nëse gjendja nuk përmirësohet brenda 3 apo 4 ditësh, atëherë pacienti duhet të paraqitet prapë te mjeku. Kjo mund të ndodhë për shkak se bakterit që e ka shkaktuar infeksionin është rezistente ndaj antibiotikut të përshkruar. Mjeku në këtë rast mund ta ndërrojë atë apo ta shtojë një antibiotik të dytë. Përveç kësaj, mos përmirësimi i gjendjes mund të vjen edhe në rastet kur pneumonia të jetë shkaktuar nga ndonjë virus apo myk, ndaj të cilëve antibiotikët nuk kanë efekt fare.
Trajtimi në spital kërkohet kur gjendja është e rëndë. Në këto raste përveç antibiotikëve, mund të jepen lëngje përmes rrugës intravenoze, si dhe oksigjen shtesë. Në rastet shumë të rënda për ta mbajtur nivelin adekuat të oksigjenit nevojitet ndihma e një ventilatori në një njësi të mjekimit intensiv.
Si përfundim, pas shërimit disa personave të cilët janë më të rrezikuar ju rekomandohet të vaksinohen për grip dhe për pneumokok./Motilokal.com
