OBSH paralajmëron: Kujdes me zbutjen e masave

OBSH paralajmëron: Kujdes me zbutjen e masave

Tedros Adhanom Ghebreyesus, Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), paralajmëroi për të bërë kujdes në zbutjen e masave të marra kundër llojit të ri të koronavirusit.

Adhanom Ghebreyesus mbajti një konferencë shtypi duke përdorur videokonferencën në selinë e OBSH-së në Gjenevë të Zvicrës.

Tedros theksoi se nevojiten një sërë masash para se një vend t’i heqë masat e vendosura për kontroll të përhapjes së COVID-19, siç janë kontrolli i mbikëqyrjes dhe gatishmërisë së sistemit shëndetësor, shkruan TRT.

Ai përmendi disa nga kriteret që janë: ekzistenca e kapaciteteve të sistemit shëndetësor për mbikëqyrje efektive të bartësve të COVID-19, izolim, gjurmim të kontakteve dhe trajtimin e rasteve; minimizimi i rrezikut të pandemisë në shkolla, vendet e punës dhe në hapësira të tjera ku njerëzit janë të detyruar të frekuentojnë; rreziku duhet të jetë i menaxhueshëm dhe duhet bërë edukimi i shoqërisë për epideminë.

“Rreziku nga kthimi i masave kufizuese mbetet shumë real, nëse shtetet nuk bëjnë kujdes në këtë fazë”, theksoi ai nga konferenca në Gjenevë.

Në përgjigje të një pyetjeje lidhur me njoftimin që kishte bërë OBSH-ja më 14 janar se virusi nuk transmetohej nga njeriu tek njeriu, Dr. Ghebreyesus argumentoi se në udhëzimin që ata kishin përgatitur para kësaj date ishte shtuar informacioni që virusi transmetohej nga një person në tjetrin dhe kjo kishte qenë efektive në përgatitjen e vendeve kundër koronavirusit./Motilokal.com