Shpendi i unazuar në arkipelagun Bijagos në Guinea-Bissau-n e largët në Afrikën Perëndimore është fotografuar gjatë vrojtimit tepër interesant të regjistruar për inventarizimin e shpendëve folezues në zonën e peizazhit të mbrojtur Vjosë-Nartë.
PPNEA thotë se përmes shumë vrojtimeve të veçanta që Narta na mundëson të bëjmë, dje patëm fatin të dokumentonim individin e gjelëzës gushëkuqe (Calidris ferruginea) të unazuar 12 mijë kilometra larg vendit tonë në arqipelagun e Bijagos, Guinea-Bissau, duke dëshmuar dhe njëherë rëndësinë botërore që Narta ka si zonë e mbrojtur!
Krahas vlerave shkencore, ky vrojtim i veçantë fal kënaqësi për të gjithë dashamirësit e natyrës dhe publikun e gjerë.
Kështu, ky vrojtim nuk ka kaluar pa u vënë re dhe nga Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i cili në postimin e tij më poshtë me të drejtë e cilëson Nartën si oazë të paqes.
“Mirëmëngjesi nga një oazë paqeje i Shqipërisë tonë të bukur, në Nartën e magjishme të Vlorës. Shpendi i unazuar në arkipelagun Bijagos në Guinea-Bissau-n e largët, fotografohet në Lagunën e Nartës”, ka shkruar kryeministri Rama.
“Pavarësisht promovimit të vlerave natyrore të Nartës, pak ditë më parë Kryeministri dhe Ministria e Infrastrukturës shprehën përsëri vullnetin për të ndërtuar aeroportin ndërkombëtar të Vlorës pikërisht në këtë zonë unike natyrore të vendit tonë”, thekson PPNEA

PPNEA thekson se ndërtimi i aeroportit në lagunën e Nartës do të sjellë një dëm të pakthyeshëm për qetësinë e kësaj zone, shkencën dhe vetë njerëzit! Nëse nuk ndërgjegjësohemi apo veprojmë të gjithë së bashku, do të privohemi jo vetëm nga të paturit peizazhe të tilla, por do të humbasim përfundimisht një laborator natyror si dhe një mori shërbimesh ekologjike që natyra i fal njeriut!
Gjelëza gushëkuqe folezon në Siberi dhe dimëron në zonën tropikale dhe subtropikale të Indo-Malajzisë, Australisë dhe Afro-Tropikut. Ky individ përshkon mbi 20000 km çdo vit, nga vendi i folezimit drejt vendeve të dimërimit dhe anasjelltas.
Në vendin tonë, ashtu sikurse në të gjithë Palearktikun (përveç zonave të folezimit) ky lloj haset gjatë periudhës së shtegtimit. Me qindra individë të këtij lloji kanë ndaluar pothuajse çdo ditë gjatë kësaj periudhe në zonën e Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë. Krahas kësaj, mbi 100000 shpendë shtegtarë kanë ndaluar deri më tani, vetëm këtë vit, në këtë zonë që prej fillimit të sezonit të shtegtimit dhe ky numër pritet të rritet sërish gjatë gjithë periudhës së mbetur të 2020-ës.

PPEA thekson se këto shifra tregojnë rëndësinë e madhe që ka Vjosë-Narta në korridorin e shtegtimit të Adriatikut, duke përbërë një prej zonave më të rëndësishme të tij. Vjosë-Narta është një ndër mrekullitë e rralla që gëzon Shqipëria dhe urojmë dhe shpresojmë që të gjithë të ndërgjegjësohemi për këtë, dhe ta ruajmë atë për një kohë sa më të gjatë. Cenimi i kësaj zone do të përbënte një prej dëmeve më të mëdha që mund t’i bëhet jo vetëm natyrës së vendit tonë, por të gjithë Evropës dhe më gjerë.
Inventarizimi i shpendëve folezues po realizohet nga PPNEA dhe AdZM Vlorë falë mbështetjes së CEPF, në kuadër të projektit “Toka e Kështjellave dhe Shqiponjave”./Motilokal.com
