Një asteroid me një gjerësi prej më shumë se dy kilometra do të kalojë pranë tokës të mërkurën. Shkencëtarët me agjencinë amerikane të hapësirës, NASA, thonë se objekti qiellor nuk përbën kërcënim për planetin.
Asteroidi quhet 52768 (1998 OR2), dhe u zbulua së pari në vitin 1998, ku edhe e ka marrë emrin sipas vitit të zbulimit. Më 29 prill, ai do të kalojë në një distancë prej 6.3 milion kilometra larg Tokës që është rreth 16 herë sa distanca mes Tokës dhe hënës.
Asteroidi pritet të ndodhë sipas Qendrës së NASA-së për Studime të Objekteve të Tokës. Qendra gjurmon objektet afër Tokës, ose NEO, që mund të përplasen me Tokën. Ata kanë qenë duke ndjekur këtë asteroid të veçantë për 20 vjet, sipas NASA-s.
Agjencia e hapësirës i konsideron objektet që kalojnë në perimetrin prej 48 milion kilometrash të planetit tonë si objekte afër tokës.
Zyrtari i lartë në NASA, që studion objektet pranë tokës, Paul Chodas thotë në faqen zyrtare të agjencisë se ata besojnë se kanë zbuluar dhe gjurmuar rreth 90 për qind të objekteve pranë tokës që kanë të paktën një kilometër gjerësi dhe mund të përbëjnë kërcënim për planetin tonë.
Ai thotë se asnjë prej këtyre objekteve hapësinore nuk përbën kërcënim domethënës për tokën.
Ndërsa Lindley Johnson, thotë se çdo objekt që rrezikon tokën, i një madhësie për të bërë dëme të konsiderueshme, është jashtëzakonisht i rrallë, por i pashmangëshëm.
Shkencëtarët thonë se nëse identifikohet një objekt i tillë, ata kanë plane të ndryshme për mbrojtjen e hershme, në varësi të kohës. Ndër këto plane janë edhe përdorimi i anijeve hapësinore për të ndryshuar me sukses kursin e objektit larg tokës dhe nëse nuk premton koha, përdorimi i armëve bërthamore për ta copëtuar apo shkatërruar objektin hapësinor.
Të gjithë mund ta shikoni drejtpërdrejt këtë fenomen në faqen e internetit të The Virtual Telescope./Motilokal.com
