Lajmi i mirë: 31 të shëruar dhe 10 raste të reja me COVID-19 – arrin në 790 numri i të infektuarve në Kosovë

Lajmi i mirë: 31 të shëruar dhe 10 raste të reja me COVID-19 – arrin në 790 numri i të infektuarve në Kosovë

Institutit Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK), në një njoftim për media ka konfirmuar se janë shëruar 31 pacientë me koronavirus dhe janë regjistruar edhe 10 raste të reja, duke çuar në 790 numrin e të infektuarve në Kosovë.

Në komunikatën e IKSHPK-ës thuhet se sot më 28 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 250 mostra të marra nga Klinika Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore.

Sipas IKSHPK-ës me SARS-CoV-2, janë diagnostikuar gjithsej dhjetë (10) raste.

“Rastet pozitive janë raste kontakti nga: Komuna e Kamenicës: 5 raste (sipas vendbanimit: 5 raste Poliçkë), Komuna e Vitisë: 3 raste (sipas vendbanimit: 3 raste Ramjan), dhe nga 1 rast vendbanimet: Mollopolc-Shtime dhe Rahovec”, njofton IKSHPK.

Lajmi i mirë është se sot më 28 prill 2020, janë shëruar edhe tridhjetë e një (31) pacientë, bazuar në rekomandimet e OBSH-së ku dy mostra rezultojnë negative me së paku një ditë distancë kohore. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej dyqind e tridhjetë e dy (232) raste.

“Nga data 08 shkurt deri më 28 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 6.955 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej shtatëqind e nëntëdhjetë (790) raste, ndërsa gjithsej njëzet (22) raste kanë ndërruar jetë dhe të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese”, bën të ditur IKSHPK.

IKSHPK njofton se në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome.

Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 28 prill 2020 sipas Worldometers, janë raportuar gjithsej 3.110.702 raste të COVID-19 dhe 215.231 raste të vdekjes./Motilokal.com