Shkencëtarët italianë: Koronavirusi mund të përhapet përmes grimcave mikroskopike që ndotin ajrin

Shkencëtarët italianë: Koronavirusi mund të përhapet përmes grimcave mikroskopike që ndotin ajrin

Shkencëtarët në Itali kanë zbuluar gjurmë të koronavirusit në pjesëzat e ndotjes së ajrit, dhe tashmë po hetojnë nëse kjo ka qenë mënyra e përhapjes së pandemisë në distanca të mëdha.

Ata thanë se zbuluan një gen specifik të COVID-19 në disa mostra të ndotjes së ajrit tek qytetarët, duke shtuar sugjerimet se kjo është një prej arsyeve të përhapjes më të shpejtë të infeksionit në zona të populluara e të industrializuara.

Sipas shkencëtarëve italianë, virusi është zbuluar në grimcat mikroskopike që ndotin ajrin, e të cilat kryesisht koncentrohen në zonat industriale.

Profesori Prisko Pishiteli nga Universiteti i Napolit së bashku me kolegët e tij, konsiderojnë se grimcat mikroskopike mund të bartin virusin në distanca të largëta. Ata kanë marrë shembull zonën industriale përreth qytetit të Milanos, ku besohet të jetë cilësia më e dobët e ajrit në Evropë. Megjithatë, është edhe një prej rajoneve me numrin më të madh të infektuarve dhe vdekurve nga COVID-19.

Ndërsa Leonardo Setti i Universitetit të Bologna tha: “Unë jam një shkencëtar prandaj jam i shqetësuar për diçka që nuk e njoh. Nëse ne do të dinim, do të gjenim edhe zgjidhjen, por nëse nuk dimë do të vuajmë vetëm pasojat”.

Studiuesit ende nuk kanë mundur ta përcaktojnë saktë se deri në cilën masë është ngjitës virusi që bartet edhe përmes grimcave mikroskopike. Por, ata paralajmërojnë se zgjedhja e vetme mbetet forcimi i masave mbrojtëse – bartja e obligueshme e maskave, distanca sociale dhe zvogëlimi i ndotjes së ajrit.

Shkencëtarët gjithashtu kanë paralajmëruar se zonat industriale paraqesin përqindje më të madhe të rrezikut nga koronavirusi./Motilokal.com