COVID-19/ 14 raste të reja, shkon në 750 numri i të prekurve në Shqipëri

COVID-19/ 14 raste të reja, shkon në 750 numri i të prekurve në Shqipëri

Drejtoresha e Instituti i Shëndetit Publik, Dr. Albana Fico në një konferencë për media ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 267 persona të dyshuar me COVID-19. Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 14 raste pozitive me COVID19, nga të cilat 7 raste janë në Tiranë, 5 raste në Krujë dhe 2 raste në Shkodër.

Sipas Ficos deri në këto momente janë testuar 7758 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 750 raste. Mosha mesatare e rasteve të konfirmuara është 46.8 vjeç.

Ajo njoftoi se mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë një 52-vjeçar nga Kruja me iniciale S. B i cili ka qëndruar për 8 ditë në reanimacion i intubuar në spitalin infektiv. Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllimet familjarëve. Shkon në 30 numri i qytetarëve që e kanë humbur betejën me këtë sëmundje, megjithë përpjekjet e stafit mjekësor.

Ndërsa lajmi i mirë është se gjatë 24 orëve të fundit, 9 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar totalin e të shëruarve nga COVID-19 në 431.

“Aktualisht në vendin tonë, 289 persona janë aktivë me COVID19 dhe siç shihet numri i të shëruarve është më i lartë. Kjo tendencë tashmë vazhdon të jetë e qëndrueshme.

Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 27 të shtruar. 3 pacientë janë në terapi intensive. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 5 pacientë të shtruar. 2 pacientë janë në terapi intensive në gjendje më të rënduar. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 32 pacientë”, deklaroi Fico.

Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Krujë dhe Shkodër.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive dhe e shërimeve, është si vijon:

Bashkia
Të prekur
Të shëruar
Tiranë
309
188
Shkodër
107
64
Krujë
97
9
Durrës
42
38
Fier
37
29
Kurbin
31

Korçë
19
18
Elbasan
18
15
Kukës
18
10
Lezhë
14
14
Has
14
12
Kavajë
9
8
Lushnjë
7
4
Vlorë
5
4
Pukë
5
4
Mirditë
5
3
Rrogozhinë
4
4
Tropojë
4
4
Berat
3
2
Mallakastër
1
1
Mat
1

Pavarësisht luhatjeve në numra ditorë situata vazhdon të jetë e kontrolluar.

Tregues për këtë janë numri i qëndrueshëm i shtrimeve në spitale dhe numri i ulët i qytetarëve që kanë pasur nevojë për frymëmarrje të drejtuar.

Që kjo situatë të vazhdojë të jetë e kontrolluar dhe në kushtet e lehtësimit të disa masave, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje të gjithë qytetarëve që të vazhdojnë të respektojnë masat e vendosura, të respektohet distancimi fizik dhe ruajtja e higjienës personale.

Këto masa duhet të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare, duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye.

Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40./Motilokal.com