Arrin në 736 numri i të prekurve nga koronavirus, 10 raste të reja në 24 orët e fundit në Shqipëri

Arrin në 736 numri i të prekurve nga koronavirus, 10 raste të reja në 24 orët e fundit në Shqipëri

Zëvendësministrja Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli në një konferencë për media ka deklaruar se gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 212 persona të dyshuar me COVID-19. Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 10 raste pozitive me COVID-19, nga të cilat 9 raste janë në Tiranë, shumica kontakte familjare, dhe 1 rast i ri është në Shkodër.

Sipas saj deri në këto momente janë testuar 7491 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 736 raste.

Ajo bëri të ditur edhe lajmin e mirë  se gjatë 24 orëve të fundit, 12 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar totalin e të shëruarve nga COVID-19 në 422 ose 57.3 % e totalit të të prekurve

“Aktualisht në vendin tonë, 286 ose 42.7 % e totalit të të prekurve janë persona aktivë me COVID19 dhe siç shihet përqindja e të shëruarve është më e lartë. Kjo tendencë tashmë vazhdon të jetë e qëndrueshme. Deri sot, 28 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë sëmundje megjithë përpjekjet e stafit mjekësor. Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 29 të shtruar. 7 pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 1 pacient është i intubuar. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 5 pacientë të shtruar. 2 pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 1 pacient është i intubuar. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 34 pacientë”, tha Rakacolli.

Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë dhe Shkodër. Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:

Bashkia
Të prekur
Të shëruar
Tiranë
302
187
Shkodër
105
61
Krujë
92
8
Durrës
42
37
Fier
37
27
Kurbin
31

Korçë
19
18
Elbasan
18
15
Kukës
18
10
Lezhë
14
14
Has
14
12
Kavajë
9
8
Lushnjë
7
4
Vlorë
5
4
Pukë
5
4
Mirditë
5
3
Rrogozhinë
4
4
Tropojë
4
4
Berat
3
2
Mallakastër
1

Mat
1

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje të gjithë qytetarëve që të vazhdojnë të respektojnë masat e vendosura si e vetmja armë që kemi në dorë për të frenuar përhapjen e infeksionit.

Në kushtet e lehtësimit të disa masave është shumë e rëndësishme të zbatohen me përpikëri të gjitha udhëzimet e autoriteteve shëndetësore, të respektohet distancimi fizik dhe ruajtja e higjienës personale.

Këto masa duhet të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare, duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye.

Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40./Motilokal.com