Teleskopi Hubble feston 30 vjetorin me imazhe mahnitëse

Teleskopi Hubble feston 30 vjetorin me imazhe mahnitëse

Si sot 30 vjet më parë, anija e hapësirës Discovery lëshoi teleskopin Hubble – një mjet zbulimi i pajisur me instrumente të fjalës së fundit që synonin t’i sillnin njerëzimit sekretet e gjithësisë.

Në këtë çerek shekulli teleskopi Hubble na ka sjellë pamje mahnitëse të gjithësisë. Përveç mrekullive pamore të kozmosit, ai ka zbërthyer mistere shkencore që do të vazhdojnë të studiohen për vite me radhë.

Falë teleskopit Hubble dhe pamjeve që ka përcjellë në Tokë nga sistemi ynë diellor, astronomia ka bërë një hap gjigant përpara.

Teleskopi ka përshkuar çdo cep të horizontit të njohur astronomik, na ka sjellë të dhëna mbi ritmet e zgjerimit të gjithësisë, formimin e galaksive pak pas shpërthimit të madh që solli krijimin e universit dhe përbërjet kimike e kushtet klimatike të planeteve për të mundësuar ekzistencën e jetës.

Shumë gjëra që dikur i imagjinonim apo i lexonim në libra fantastiko-shkencorë, sot i gjejmë në tekste shkollore falë të dhënave që na ka dërguar Hubble.

Agjencia hapësinore amerikane (NASA), e cila drejton Observatorin në partneritet me Agjencinë Evropiane të Hapësirës (ESA), thotë se operacionet do të financohen për aq kohë sa ato mbeten produktive.

Vitin e kaluar, të dhënat e saj rezultuan në botimin e pothuajse 1.000 punimeve shkencore - kështu që ai vazhdon të qëndrojë në ballë të zbulimit. Dhe sikur të theksojnë këtë pikë, astronomët premtojnë një imazh të ri tërheqës nga teleskopi të Premten, si pjesë e festimeve të 30-të të ditëlindjes./Motilokal.com