Të paktën pesë persona mbeten të vdekur dhe dhjetëra tjerë u lënduan nga tornadot që goditën pjesë të Teksasit dhe Oklahomas jugore duke shkaktuar dëme të mëdha.
Stuhitë sollën shi të madh, breshëri të madhësisë sa topi i bejsbollit dhe erëra të forta me shpejtësi deri në 130 kilometra në orë.
Një person vdiq kur një tornado goditi Qarkun Marshall të Oklahomas jugore dhe dëmtoi të paktën dy biznese.
Stuhia në Oklahoma goditi Madillin, pranë lumit të Kuq rreth orës 4:30 pasdite me kohën lokale të mërkurën, duke shkaktuar dëme të mëdha në qytet, përfshirë lagjet e banimit, tha menaxheri i urgjencës të qytetit, Donny Raley.
Drejtori i Menaxhimit të Emergjencave të Qarkut Marshall, Robert Chaney tha që trupi i personit u gjet afër një fabrike të rimorkiove rreth 10 km në jug-perëndim të Madillit.
Një stuhi tjetër e fortë, e cila ishte e llojit të një tornado, përfshiu një qark në juglindje të Teksasit, duke shkaktuar dëme të mëdha.
Zyra e Menaxhimit të Emergjencave të Qarkut Polk tha në një deklaratë se tre persona vdiqën dhe të paktën 20 u plagosën në Onalaska të Teksasit.
Onalaska është rreth 145 kilometra në veri të Houston. Një paralajmërim për një katastrofë të mundshme u lëshua të mërkurën në mbrëmje pasi u godit qarku.
Stuhia tani po kalon në juglindje, duke kërcënuar Xhorxhian dhe Alabaman. Erërat e forta priten të godasin edhe New Orleans, Floridën dhe Karolinën./Motilokal.com


