Për herë të parë në historinë e festimit të Ditës Ndërkombëtare të Tokës, Let’s Do It sjell “Ditën e Pastrimit Digjital” që do të shënohet pikërisht më 22 Prill – 50 vjetorin e Ditës Ndërkombëtare të Tokës.
Në njoftimin e Let’s Do It thuhet se “Dita e Pastrimit Digjital” synon të sjell vëmendjen e botës tek mbeturinat virtuale – digjitale, për të cilat rrallë herë na shkon mendja se janë “mbeturina”, e që edhe ky lloj mbeturinash ka ndikim në mjedis dhe në jetën tonë të përditshme përmes konsumit të energjisë dhe emetimit të gazrave serrë.
Let’s Do It thotë bëhet fjalë për aplikacionet e ndryshme, skedarët, fotografitë, videot, etj., që zënë vend në pajisjet tona digjitale (smartphones, laptopë, kompjuterë, etj.) si të papërdorura, të vjetruara apo të papërditësuara.
Gjurmët e karbonit që lë interneti dhe sistemet që e mbështesin atë përbëjnë rreth 3.7% të emetimeve globale të gazrave serrë, sasi kjo e ngjashme me atë që prodhohet globalisht nga industria e linjave ajrore.
Duke pastruar mbeturinat tona digjitale, ne ndihmojmë në uljen e konsumit të energjisë dhe emetimit të gazrave serrë, si dhe krijojmë shprehi më të mira të menaxhimit të të dhënave tona digjitale; më pak rrëmujë digjitale = përqendrim më i madh dhe më pak humbje kohe, e më e rëndësishmja – një PLANET më i shëndetshëm.
"Bashkohuni në “Ditën e Pastrimit Digjital”, ftoni edhe miqtë e juaj po ashtu, dhe më 22 Prill të shënojmë 50 vjetorin e Ditës Ndërkombëtare të Tokës duke pastruar mbeturinat tona digjitale", thuhet në njoftimin e Let’s Do It./Motilokal.com
