21 të shëruar dhe 37 raste të reja me COVID-19 – arrin në 598 numri i të infektuarve në Kosovë

21 të shëruar dhe 37 raste të reja me COVID-19 – arrin në 598 numri i të infektuarve në Kosovë

Institutit Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK), në një kumtesë për media ka konfirmuar se janë shëruar 21 pacientë me koronavirus dhe janë regjistruar edhe 37 raste të reja, duke çuar në 598 numrin e të infektuarve në Kosovë.

Në njoftimin e IKSHPK-së thuhet se sot më 20 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 353 mostra të marra nga Klinika Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore.

Sipas IKSHPK-së me SARS-CoV-2, janë diagnostikuar gjithsej tridhjetë e shtatë (37) raste.

“Rastet pozitive janë raste kontakti, nëntë (9) raste me vendbanim në Lipjan, tetë (8) raste me vendbanim në Pejë, gjashtë (6) raste me vendbanim në Prishtinë, pesë (5) raste me vendbanim në Skorobishtë-Prizren, katër (4) raste nga Komuna e Podujevës (sipas vendbanimit: dy (2) raste Podujevë dhe dy (2) raste Pollatë), dy (2) raste nga komuna e Zubin Potokut dhe nga një (1) rast vendbanimet: Pjetërshticë-Shtime, Stubëll-Viti dhe Zveçan”, bën të ditur IKSHPK.

IKSHPK jep edhe lajmin e mirë të shërimit të njëzet e një (21) pacientëve, bazuar në rekomandimet e OBSH-së ku dy mostra rezultojnë negative me së paku një ditë distancë kohore. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej njëqind e njëzet e tre (123).

Më tej në njoftim thuhet se nga komuna e Mitrovicës së Veriut janë raportuar dy (2) raste të vdekjes dhe nga komuna e Leposaviqit një (1) rast i vdekjes.

“Nga data 08 shkurt deri më 20 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 5.009 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej pesëqind e nëntëdhjetë e tetë (598) raste, ndërsa gjithsej pesëmbëdhjetë (15) raste kanë ndërruar jetë dhe të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese”, thuhet në komunikatë.

IKSHPK njofton se në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome. Deri më sot janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 6351 kontakte të rasteve.

Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 20 prill 2020 sipas Worldometers, janë raportuar gjithsej 2.467.524 raste të COVID-19 dhe 169.398 raste të vdekjes./Motilokal.com