Ditëve të fundit edhe në këtë situatë kritikë të një pandemie botërore vazhdon me intensitet të shtuar prerja ilegale e drunjve shumëvjeçarë në Parkun Kombëtar të maleve të Sharrit.
Pas adresimeve të pandërprera të grupeve të interesit rreth dukurisë së prerjes ilegale të pyjeve, më datën 01 Prill 2020, mekanizmat relevant janë takuar me përfaqësues të Parkut Kombëtarë. Përfaqësues të partive politike, zyrtarë policorë të stacionit të policisë në Kaçanik, përfaqësues komunal dhe përfaqësues nga shoqëria civile, ku diskutuan format konkrete si dhe shtimin e bashkëpunimit me përfaqësuesit e Parkut Kombëtar Sharri për të luftuar dukurinë e prerjes ilegale të pyjeve.
Pas këtij takimi si rrjedhojë e diskutimeve për të iniciuar dhe ndërmarrë veprime konkrete u formua Task Forca e cila do të merret në vazhdimësi me këtë problematikë dhe në përbërjen e saj përfshin institucionet lokale si dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile.
Me formimin e Task Forcës, sot hapi i parë ishte inspektimi të bjeshkëve të Sharrit ku janë vërejtur prerje masive të drunjve dhe shkatërrim në vazhdimësi i Parkut Kombëtar të Sharrit.
Gjatë kësaj vizite patëm rastin të shohim shkatërrimin më të madh në historikun e gjatë të këtyre bjeshkëve. Vlen të ceket se ka filluar që edhe pamja e bukur tanimë të venitet seriozisht dhe të merr një pamje të shëmtuar, e shkaktuar pikërisht nga dora shkatërrimtare e individëve të papërgjegjshëm.
Prerësit ilegal të pyjeve janë shkatërruesit e vetëm të kësaj hapësire të përbashkët dhe kësaj bukurie përrallore që ka vendi ynë dhe kjo mbetet njëra ndër brengat më të mëdha sa i përket mjedisit ku jetojmë.
Ne si një grup i organizuar zyrtarisht me tërë akterët relevant, njashtu i ftojmë edhe institucionet e tjera shtetërore (Policinë e Kosovës, gjykatat si dhe rojet e pyjeve) që të japin maksimumin dhe të mos dorëzohen karshi këtyre shkatërrimtarëve të pamëshirshëm të natyrës sonë.
Gjatë vizitës së këtij parku sot më 7 Prill 2020, grupi ynë i kësaj Task Force gjithashtu takoi edhe rojet e parkut të cilët nuk ishin aspak miqësorë dhe bashkëpunues. Ata shprehen mllefin e tyre ndaj grupit të cilit kishin shkuar në vizitë pa paralajmëruar rojet e pyjeve.
Kjo Task Forcë do të përdorë të gjitha mekanizmat legal në monitorimin pyjeve tona dhe në ndalimin e shkatërrimit të tyre nga prerësit ilegal dhe për këtë kërkojmë ndihmën e të gjithëve.
Ky organizim në asnjë mënyrë nuk do të ju nënshtrohet asnjë kërcënimi nga askush dhe do të kërkojmë përgjegjësi nga institucionet përgjegjëse të cilët marrin paga nga institucionet e Kosovës për mbrojtjen e pyjeve dhe aseteve natyrore të shtetit tonë, sepse këto janë pasuritë e të gjithëve e jo të individëve apo të grupeve të caktuara kriminale që i keqpërdorin aseteve publike për interesa të ngushta personale.
Me anë të disa fotografive ne do të paraqesim situatën aktuale dhe shkatërrimin e bjeshkëve të Sharrit./Motilokal.com


