Disa këshilla për përdorimin e ujit në objekte banesore dhe shtëpiake

Disa këshilla për përdorimin e ujit në objekte banesore dhe shtëpiake

Ujësjellësi Prishtina ka dhënë disa këshilla se si të përdoret dhe kursehet uji i pijshëm në këtë kohë pandemie.

Të nderuar konsumatorë të KRU "Prishtina":

Të gjithë ne tashmë e dimë rëndësinë dhe vlerat e pamohueshme që ka uji i pijshëm për njeriun dhe natyrën.

E aq më shumë, kur tashmë jemi të mbyllur në shtëpitë tona si mënyra më ideale në përballje të drejtpërdrejt kundër virusit COVID-19.

Uji i pijshëm është themelor për jetën dhe po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për shëndetin tonë.

Kontributi ynë karshi përdorimit të ujit duhet të jetë i fokusuar në shpenzimin racional.

Uji nuk kursehet vetëm në natyrë, ujin mund të kursejmë edhe në shtëpitë/banesat tona.

Qëllimi i thirrjes për përdorim sa më të drejtë të ujit është i orientuar në ruajtjen e burimeve ujore për periudhat që po vijnë duke e ditë që në vendin tonë ka mungesë të theksuar të reshjeve atmosferike. Akumulacionet varen nga dy faktorë: reshjet atmosferike dhe shfrytëzimi racional i ujit nga ne.

Disa këshilla se si mund të përdorim në mënyrë sa më të drejtë ujin e pijshëm brenda objekteve të banimit,

Kontrolloni pajisjet hidrosanitare herë pas here për ndonjë rrjedhje të mundshme të ujit, sidomos në WC (guacën e tualetit) dhe rubinetin e banjos tuaj. Një rrjedhje e fshehur e ujit në tualet mund të çoj dëm prej 30-500 litra ujë. Me mundësitë që keni aktualisht, rregulloni çdo gjë që rrjedhë në banjon tuaj.

Gjatë larjes së duarve, fytyrës dhe dhëmbëve, gjithnjë mbylleni mirë rubinetin përgjatë procesit të pastrimit dhe kështu ju kurseni rreth 20 litra ujë në minut.

Derisa jeni duke bërë dush dhe ndërkohë e ndalni rubinetin përgjatë pastrimit, kështu ju mund të kurseni deri në 570 litra ujë në muaj

Shpeshherë ndodhë që rrjedhjet e ujit në guacën e tualetit të jenë krejtësisht të pa zhurmshme andaj, kontrolloni herë pas here.

Nëse keni ujëmatës brenda banesës tuaj, kontrolloni herë pas here për ndonjë rrjedhje të mundshme por assesi të manipuloni me të.

Kur përdorni makinën e larjes (lavatriçen) mbusheni kazanin në kapacitetin e tij të plotë.

Kur pastroni me ujë pemët e perimet, mos lejoni që uji të rrjedhë vazhdimisht mbi to.

Pastro duart vazhdimisht me ujë, mbaje higjienën personale por kujdes në përdorimin e ujit të pijshëm!/Motilokal.com